Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do do të vizitojë Serbinë.
Pak kohë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka drejtuar një letër presidentit Trump me rastin e ditëlindjes së tij, ku edhe e ka ftuar të vizitojë shtetin serb.
Daçiç shprehet se kjo do të jetë një vizitë zyrtare, me protokoll dhe se kjo vizitë është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Më lejoni të shfrytëzoj rastin që t’iu bëj ftesë të vizitoni Serbinë, sepse asnjë president i SHBA-së nuk e ka bërë këtë në gati katër dekada. Serbia dhe SHBA-ja ishin miqësore me njëra-tjetrën, duke luftuar së bashku kundër padrejtësive në dy luftëra botërore, mes nesh ekzistojnë lidhje të fuqishme historike”, shkruante Vuçiç në letrën e tij.
Vuçiç ka kërkuar që raportet mes Serbisë dhe SHBA-së të kthehen në nivelin e kaluar e këtu, siç thonë mediat në Kosovë, përmendi gatishmërinë e Trumpit për zhvillimet në Ballkan duke qenë se disa herë ka shfaqur interesim për të ndihmuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, në zgjidhjen e problemit të Kosovës.
“Siç e dini edhe ju, zoti President, me problemin e Kosovës janë duke u shkelur interesat jo vetëm të Beogradit dhe Prishtinës por edhe të temave të ndryshme ndërkombëtare që krijojnë manipulime dhe destabilizim të pafund politik. Duke parë punën tuaj energjike dhe gatishmërinë për ndryshime, kërkoj të ndikoni që Prishtina të heqë taksën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që dialogu, mes palëve të vazhdojë, thuhet në mesazhin e Vuçiç.