Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi deklaron se në qytetin e Shkodrës, më datë 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News24, Ademi thekson se do të mbajë bindjen e saj dhe do të respektojë dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
Pjesë nga deklarata:
“Ne do të zbatojmë dekretin për ç’dekretimin e zgjedhjeve. Kjo është ezauruar, nuk mund të bëjmë më ndryshe. Është detyrim ligjor. Kam komunikuar gjatë këtyre javëve me të gjithë institucionet duke bërë me dije këtë qëndrim.
Kam vepruar menjëherë duke informuar institucionet që kanë lidhje me procesin zgjedhor. Kam bërë me dije KQZ-në, Prefektin, Ministrin e Brendshëm, për stopimin ë të gjithë procesit dhe veprimeve, që duhet të merreshin nëse do kishte zgjdhje.
Ne nuk vendosim në dispozicion asgjë nga infrastruktura lokale. Nuk bëhet fjalë për uzurpim apo ndërhyrje, apo përballje fizike. Në momentin që Bashkia Shkodër, ka mbyllur të gjithë objektet dhe nuk ka dhënë autorizim për përdorimin e këtyre objekteve.
Unë do të veproj në bazë të ligjit. Administrata vendore ka marrë urdhër, të ndarë me shkrim. Kushdo të vijë aty, do ti bëhet me dije se është në pronë ku nuk mund të hyjë.”