“Të bësh punë të ndershme në Shqipëri është baras me një punë të paligjshme”.
Po, është deklaratë e fortë kjo, mirëpo e thënë në një kuptim figurativ, në të cilën e gjejnë vetën kaq shumë persona në vendin tonë. Në këtë pikë më së shumti “viktima” janë individët që i përkasin komunitetit rom. Sa i trishtë, aq edhe shokues është fakti që disa prej tyre edhe pse bëjnë punë të ndershme duke mbledhur ndershmërisht shishe plastike apo diçka tjetër, shpeshherë janë nën “nuhatjen” dhe “shënjestrën” e policëve shqiptarë.
Por pse policët rendin pas tyre? Ata nuk janë pjesë e mafias, nuk vrasin, nuk shesin drogë, janë thjesht… “gjuetarë të mbeturinave”. Kurrë nuk mund të vihemi 100% në vendin e tyre, por ama gjithsecili prej nesh mund ta imagjinojë lodhjen fizike, presionin social, paragjykimin dhe në raste ekstreme dhe dhunën që mund të ushtrohet ndaj tyre. Ata nuk kërkojnë që të pasurohen, kërkojnë një gjë jetike, bukën e gojës. Por si mund ta kuptojë policia shqiptare këtë? Si mund të ndalojë një person në mes të rrugës, me një thes të madh me shishe plastike, të rënduar shumë psikologjikisht, në mëshirë të fatit dhe tmerrësisht të shqetësuar rreth pyetjes: “Me çfarë do ushqej fëmijët në darkë?”
Një video e publikuar së fundmi nga “Nisma Thurje” paraqet pikërisht këtë fenomen që po i merr shpirtin dita-ditës disa qenieve njerëzore që të vetmet gjëra që u kanë mbetur janë: shpirti, dashuria dhe nderi.
Siç e përmendëm edhe më lart, një video është bërë virale ku dy “antagonistët” dhe “kriminelët” janë një burrë bashkë me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit bën thirrje dëshpëruese ndaj 6 policëve duke iu thënë që ta lënë rehat burrin e saj, mos ta shoqërojnë, procedojnë e në rastin më ekstrem, ta arrestojnë.
“Mos ma prek burrin me dorë, iu vraftë ai Zot, pa na lini kalamajtë pa bukë”, i ulëret zonja në video policëve ndërkohë bashkëshorti i saj bën revoltë duke mos pranuar të shoqërohet nga “vënësit e drejtësisë”.
Ndërkohë disa fjalë të tjera, të ngjashme më të mësipërmet, por ironizuese të publikuara nga “Nisma Thurje”, janë këto: “Arrestohen dhe procedohen më në fund pronarët e koncesionit abuziv të incineratorëve të cilët me anën e një kontrate korruptive po përfitojnë pa dhënë asnjë shërbim dhjetëra miliona euro çdo vit nga lekët tona. Prokuroria gjithashtu ka hapur proces penal ndaj Erion Veliajt dhe Arben Ahmetajt me akuzën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin”.
Më poshtë, pamjet e trishta…