Kolegji Zgjedhor do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur për vlefshmërinë e datës 30 qershor si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore apo jo.
Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Ridvan Hado, Tomor Skreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja u vu në lëvizje pas një kërkese ankimore nga Partia Uniteti Kombëtar, e cila kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet për organet për qeverisjet vendore, me argumentin se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë një dekret që anulonte 30 qershorin.
Ky dekret i Presidentit mori formë ligjore në momentin që u botua në Fletoren Zyrtare, dhe Partia Uniteti Kombëtar përfitoi duke kërkuar çregjistrimin nga zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte hallka e parë që shqyrtoi këtë kërkesë. Ata rrëzuan Partinë Uniteti Kombëtar me argumentin se Kodi Zgjedhor nuk parashikonte çregjistrimin në këtë fazë të procesit.
Vetë KQZ-ja më herët kishte rrëzuar edhe vetë dekretin e Presidentit, duke theksuar se ai është nul dhe nuk sjell pasoja juridike. Por Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, cilido qoftë ai, pak efekt pritet që të ketë në zbutjen e krizës politike, pasi palët qëndrojnë edhe më të përforcuara në qëndrimet e tyre për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve vendore.
PËRPLASJA
Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit në lidhje me dekretin e Presidentit Ilir Meta, që sipas Presidencës dhe opozitës anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, pak peshë pritet të ketë në zgjidhjen e krizës politike.
Presidenti Meta thotë se dekreti i nxjerrë prej tij mund të shqyrtohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të zbatohet nga të gjithë dhe ka paralajmëruar institucionet dhe personat që nuk i binden me pasoja ligjore. Të njëjtin mendim me Metën ndan edhe koalicioni opozitar, që në përpjekje për të ndalur maxhorancën nga zhvillimi i procesit, ka aktivizuar protesta në bashkitë e kontrolluara prej tij kundër KZAZ-ve.
Por maxhoranca e cilëson antikushtetues dekretin e Metës, për rrjedhojë me efekt nul ligjor. Si kundërpërgjigje, socialistët rrëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dekretin presidencial, ndërkohë që në Parlament kanë nisur procedurat e shkarkimit të Presidentit me arsyetimin e “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.
Historia e anulimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit u paraqit nga ky i fundit si një mundësi për të ulur aktorët politikë për të gjetur një zgjidhje për kapërcimin e krizës politike, në të cilën ndodhet vendi. Por ky vendim i Presidentit duket se acaroi më shumë situatën politike dhe palët u polarizuan më shumë në qëndrimet e tyre radikale për sa i përket 30 qershorit.
Ndonëse vendimi i Kolegjit në vetvete merr në shqyrtim një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendosja për pranimin e ankimit të subjektit politik Partia Uniteti Kombëtar përkthehet në rrëzimin e pretendimit të maxhorancës, e cila këmbëngul se dekreti i Presidentit është i pavlefshëm. Marrja e një vendimi tjetër do të sillte rritjen e kapitalit politik për Partinë Socialiste, e cila është e vendosur për të shkuar në 30 qershor për zgjedhje vendore. /panorama