Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë pasdite në Kurbin, Majlinda Carën, si kandidate të Partisë Socialiste për Bashkinë e Kurbinit në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Gjatë fjalës së mbajtur, Rama tha se opozita jo parlamentare ka frikë të hyjë në zgjedhje, për këtë arsye “bërtasin rrugëve”. Sipas kryeministrit, opozita u largua sepse kapitulloi.
“Ata kanë frikë, prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Ata kanë frikë nga ballafaqimi. Por, ata vendosën që të ikin nga zgjedhjet. Punë e tyre. Por përveç kësaj, asgjë tjetër nuk vendosin dot. Shqiptarët e kanë vendosur se kë do të votojnë në zgjedhje”, deklaroi Rama.
Po ashtu, Rama u shpreh se opozita e bashkuar është gati që të bëjë çmos për ta dërguar Shqipërinë në rrugën e tyre drejt humnerës, teksa shtoi se nuk funksionon një shtet a shoqëri me teorinë: hapi rrugë budallait.
“Ata janë pak dhe do të jenë çdo ditë e më pak. Nuk meritojnë as respektin e demokratëve, që janë qytetarë të devotshëm. Ata janë dembelë, nuk e duan punën. Dhe po ta shihni u është dhënë rasti dy herë për ta drejtuar Shqipërinë, dhe e kanë bërë Shqipërinë më keq seç e gjetën. Ne jemi punëtor, megjithëse bëjmë gabime si çdo njeri tjetër.
Ka plot politikanë që shqiptarët i marrin për budallenj, i tërheqin nga hundët, por shqiptarët e dinë që ka një problem në sjelljen e tyre. Ata nuk e kanë dashur reformën në drejtësi. Ata duan rrëmujë, që të përmbysen dhe atë që po drejtohet ditë për ditë”, tha Rama.
Ndërkohë, ajo çfarë ra në sy gjatë prezantimit të kandidates së PS për Bashkinë e Kurbinit, është fakti se në vend të flamurit të PS mbahej ai kombëtar.