Kryeministri Rama ka prezantuar pasditen e sotme Pjerin Ndreun si kandidat të PS për Bashkinë e Lezhës, në zgjedhjet e 30 Qershorit. Në tubimin elektoral të socialistëve në këtë qytet, Rama tha në fjalën e tij se zgjedhjet janë anti-demokratike vetëm kur opozita pengohet të hyjë në zgjedhje. Po kështu, ai tha se ata i frikësohen reformës në drejtësi, ndaj kanë marrë këtë rrugë.
“Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet, nuk kanë në dorë asgjë tjetër. Drejtimi i Shqipërisë, edhe drejtimi ynë dihet. Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë anti-demokratike vetëm atëherë kur opozita pengohet të hyjë në zgjedhje.
Por kur ajo vendos vetë që të mos hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë aspak anti-demokratike. Ngaqë nuk fitojnë dot, thonë ne duam të ikni ju, dhe të vimë ne.
Dhe që të ikni ju dhe të vimë ne, thonë ne s’duam zgjedhje se nuk fitojmë dot. Kjo nuk është parë askund, dhe nuk ka për t’u parë as këtu, të jeni të sigurtë.
Janë të alarmuar nga reforma në drejtësi, nuk e kanë dashur që nga dita e parë. Paniku i shtyn në një rrugë ku vetëm kokën e tyre mund të thyejnë në ndonjë xham, por Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i bëjnë dot asnjë gjë”, u shpreh Rama.