Gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës së bashkuar, kryedemokrati Lulzim Basha ka përdorur qëndrimin e Ramës kundër Donald Trump, para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale.
Duke folur mes protestuesve, Basha tha se tashmë po i mbaron koha atij që sulmoi presidentin e Amerikës dhe që vijon ta sulmojë me artikuj të paguar.
«Ai që sulmoi presidentin e Amerikës, ai që vijon ta sulmojë me artikuj të paguar të parave të narkotrafikut, ai që çoi faqen e zezë, ministrin e narkotrafikut në Shtëpinë e Bardhë, e di që ora po i mbaron», tha ndër të tjera Basha.
Një tentativë e kryedemokratit për të siguruar mbështetjen e SHBA-ve lidhur me rrugën që opozita ka ndërmarrë, me djegien e mandateve. Vendim ky që është kritikuar vazhdimisht nga ndërkombëtarët, të cilët janë shprehur se beteja politike bëhet brenda në Kuvend dhe se ky vendim nuk i shërben integrimit të Shqipërisë në BE./ Tirana Today