Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar situatën politike në vend, pas aktit ekstrem të djegies së mandateve nga opozita, por edhe deklaratën e Metës se është i gatshëm të lërë mandatin për zgjidhjen e krizës politike.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, Topi shprehet se situata është tejet kritike dhe se loja politike ka përfunduar në momentin që opozita dogji mandatet.
Duke komentuar deklaratën e presidentit Meta, Topi nënkuptoi se ajo nuk përbën asnjë shqetësim për kryeministrin, teksa tha se Rama në fakt i ka votat dhe do e zëvendësonte presidentin brenda 48 apo 72 orësh.
“Dorëzimi i mandateve në bllok është një rast ekstrem dhe në kushtet e një bipolarizmi, tërheqja nga loja e një pale do të thotë se ajo mbaron. Duke e analizuar edhe me ato të kaluarat apo edhe eksperiencat rajonale të gjithë ndjehen të trishtuar dhe pa rrugëdalje. Të gjithë pyesin njëri-tjetrin si e shikon çfarë do ndodhë dhe për herë të parë kanë shteruar gati në bllok mendimet se kush mund të shkojë kjo situatë.
Thashë loja ka mbaruar duke parë premisat e palëve. Gjithsesi Shqipëria mbetet një vend i vogël edhe për partnerët. E shohin si një rast të veçantë dhe delikat në kuadrin e një gjeopolitike të një rajoni që ende nuk është stabilizuar. Unë e ndoqa presidentin Meta, dhe ai është në kushte mjaft të vështira të kompetencave institucionale, se ndryshe nga viti 2007 kur pati një lloj precedent në lidhje me mungesën e predispozicionit të opozitës së dikurshme për tu futur në zgjedhjet lokale, kur unë isha kryetar i grupi parlamentar.
Edi Rama ka qenë kryetar i PS-së në opozitë i cili pretendonte që nuk mund të futesh në zgjedhje pa rregulluar formularët e zgjedhjeve dhe të listave. Ishte një iniciativë e ish-presidentit Moisiu i cili duke shfrytëzuar autoritetin institucional të një presidenti që zgjidhet me 84 vota kishte një lloj presioni të partive politike, që presidenti i zgjedhur mund të ushtronte presionin që unë largohem dhe parlamenti shpërndahet dhe kalohet në zgjedhje të parakohshme. Nëse presidenti aktual thotë se do të jap dorëheqjen të jeni të sigurtë se brenda 48 orësh, apo 72 orësh mazhoranca ka 71 vota për të zgjedhur një president tjetër. Pra nuk është më një instrument politik dhe institucioni pra balancues, nuk ka më ekuilibra”, tha ndër të tjera Topi.