Nga: Alfred Peza
Përtej batutës së Kryeministrit Edi Rama në Elbasan me Ditën e Verës, se “Lala” atje po e festonte më 14, Luli do e festonte me 16 dhe Lali Eri më 17 mars, ajo që u kuptua menjëherë këtë të dielë, ishte tërbimi i madh e i pashembullt i lidershipit të opozitës. Një shpërthim plot tërsëllima kundër një emri, një njeriu, një politikani që për shkak të parashikimit të motit të keq në ditën zyrtare, kishte propozuar shtyrjen e aktiviteteve për festën e luleve, për një kohë tjetër. Festime këto, që përkonin me atë të vetëm një dite, pas protestës së opozitës.
Erion Veliaj u sulmua për këtë, në mënyrën më të egër dhe më të pashembullt, me të gjitha mjetet e një arsenali të vjetër e të ri opozitar tashmë. Ishte kryqëzata e një tërbimi të pangushëllueshëm, siç veç lidershipi i PD dhe LSI dinë ta bëjnë ndaj kujtdo kundërshtari politik, që i del sadopak përpara në rrugën e tyre. Ndëshkimi më shembullor publik në të tilla raste, i rezervohet kujtdo që sidomos tani, i tregon shqiptarëve të vërtetën e një opozite që bashkë me veten, kërkon të gremisë edhe Shqipërinë.
Po pse ndodhi kjo?
Edhe për ata që shohin prapa çdo vendimi si ky i Lali Erit një skenar konspirativ, por edhe për ata që e besojnë atë me dozën e duhur të skepticizmit, një gjë është e sigurtë. Se gjithçka ndodhi me aktivitetet e festimeve për Ditën e Verës në Tiranë, nuk ishte gjë tjetër veçse një mundësi e papërsëritshme për të parë në kushte reale, shfaqjen e ofruar nga opozita në protestën e të shtunës, e për ta krahasuar me atë të aktiviteteve të organizuara “nga mazhoranca”, të dielën.
Një lojë pasqyrash gjigande, ku çdokush në këtë vend dhe i interesuar jashtë tij, kishte mundësinë e papërsërtishme që të shihte me sytë e ballit, dy Shqipëritë e sotme. Shqipërinë e opozitës zyrtare të materializuar në protestën e dhunshme, që tenton të injektojë artificialisht nëpërmjet daljes nga Parlamenti, krizën e lidershipit të vet në sistem. E nga ana tjetër, Shqipërinë e mazhorancës, e cila nëpërmjet pamjeve të qytetarisë në rrugë, tregoi se përtej imazheve, jeta në këtë vend vijon që të rrjedhë normalisht.
Pra, në 48 orët e kësaj fundjave, kushdo kishte mundësinë që të shihte në të njëjtin qytet, në të njëjtën hapësirë urbane, në të njejtën skenë natyrore, në të njëjtat ambjente, në të njëjtat rrugë, bulevarde, sheshe e parqe, jo vetëm dy Tirana, por edhe dy Shqipëri. Shqipërinë e gurëve, sulmeve dhe barbarisë së dhunës ndaj institucioneve, pronës dhe individit të lirë. Me Shqipërinë e luleve, lodrave, këngëve, të shfaqjeve, normalitetit dhe të qytetarisë.
Si kurrë më parë në këto 30 vitet e fundit, ishin përballë njëra tjetrës këtë weekend, si të programuara nga një dorë e padukshme, përfaqësuesit më të mirë të shembullit të forcës, me atë të forcës së shembullit. Përfaqësuesit e anormalitetit, me pozitivitetin. Përfaqësuesit e gurëve, me ata të luleve. Përfaqësuesit e antisistemit, me ata të sistemit. Përfaqësuesit e antiligjit, antirregullit, antidemokracisë me ata të ligjit, rregullit dhe normalitetit institucional të jetës së vendit dhe qytetarëve.
Ishte një nga të paktat shfaqje të jashtëzakonshme, ku ke mundësi që të shohësh përfaqësuesit e një akti të paprecedentë në historinë e demokracive funksionale që kërkojnë ta rrëmbejnë pushtetin në tavolinë, nëpërmjet filozofisë së gurëve, zjarrit e dhunës. Me qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, që kërkojnë ti gëzohen sipas mënyrës dhe mundësive të tyre, një dite të bukur, jetës që vazhdon e rrjedh, stinës së re që ka trokitur tashmë dhe gjithçkaje tjetër që i jep gëzimin e të qenit qytetarë normalë, të një qyteti normal, në një Shqipëri gjithnjë e më normale, në një mikroklimë ku një pakicë, kërkon që ta shndërrojë me çdo çmim, në anormale.
E kjo që ka ndodhur, përderisa në perceptimin e përgjithshëm publik ishte një ditë e mbushur me aktivitete dhe organizime nga ana e Bashkisë së Tiranës, kuptohet që meritat kryesore në aspektin politik shkojnë për kreun e saj. Ndaj, opozita në mënyrën e vet e unikale të të bërit politikë në Shqipëri, kishte gjithë të drejtën e vet natyrale dhe të Zotit, që të tërbohej kundër Erion Velisë.
E po ta shohësh nga këndi i tyre, nuk është se e kishin edhe aq gabim. Sepse rrallëherë gjithkujt mund ti ndodhë si këtë fundjavë, që të shohë live, se me kë është populli shqiptar në të vërtetë. Me ata që flasin në emër të tij, apo me veten e vet. Ndaj këtë që i ndodhi, me heqjen e popullit nga “duart” dhe nga “pronësia” mbi të, opozita jonë nuk mund tja fali kërrkujt. Aq më pak, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që sa herë opozita importon protestues për të demonstruar kundër qeverisë, vijon jetën e vet normale sikur ajo të mos ekzistonte në këtë qytet.