Nga: Mehmet Ozalp
Dhjetori i 2018-ës, shënoi një ndryshim të rëndësishëm në konfliktin sirian. Ngjarjet e fundvitit, e vendosën vendin në një trajektore të re, në të cilën presidenti Bashar Al-Asad po shkon drejt konsolidimit të pushtetit të tij dhe Shteti Islamik, po sheh sheh një shans për t’u rikthyer fuqishëm si një aktor në terren.
Zhvillimi i fundit, ishte njoftimi i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, se ai do të ndërmarrë një operacion ushtarak në lindje të lumit Eufrat – një zonë e kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga SHBA-ja, dhe të udhëhequr nga kurdët.
Gjatë gjithë konfliktit 8-vjeçar, Asad dhe mbështetësja e tij kryesore, Rusia, nuk janë përballur ushtarakisht me kurdët. Asadi dhe Rusia, nuk i shihnin kurdët si terroristë apo kryengritës, por si mbrojtës të territorit të tyre nga ISIS dhe forcat e tjera xhihadiste.
Por Turqia, e sheh zonën kurde si një kërcënim ekzistencial. Frika e saj është ligjitime:nëse rajoni kurd në Siri fiton pavarësinë, atij mund t’i bashkohet rajoni kurd në Irakun Verior, dhe përfundimisht të pretendojë edhe juglindjen e Turqisë, të banuar kryesisht nga kurdët.
Operacioni ushtarak i Ankarasë, nuk ka nisur ende. Por njoftimi i tij, ishte një lëvizje e guximshme, që nga operacioni si madh i ushtrisë në kufirin turko-sirian. Ai vendosi nën presion administratën amerikane dhe presidentin amerikan Donald Trump, duke i bërë thirrje:ose qëndro i vendosur kundër Turqisë dhe thello më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara, ose largohu nga Siria, për të larë duart nga përgjegjësitë.
Trump zgjodhi opsionin e dytë. Ai deklaroi me shpejtësi, se SHBA-ja do të largohet krejtësisht nga Siria – dhe do të çojë në Turqi raketat “Patriot”, për të parandaluar përpjekjen e Turqisë, për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore, S-400.
Ekziston frika, se tërheqja e SHBA do të lërë Rusinë si “padronen” e vetme politike dhe ushtarake në rajon, me Iranin dhe Turqinë si partneret e saj. Presidenti rus, Vladimir Putin, është shprehur publikisht se Rusia respekton interesat kombëtare të Turqisë në Siri.
Ai shtoi se Turqia ishte e gatshme të arrinte një kompromis, dhe të bashkëpunonte për të përmirësuar situatën në Siri, dhe luftuar terrorizmin. Turqia duket se i ka pranuar objektivat ruse në Siri, në këmbim të dritës së gjelbër nga ana e Moskës, për të mbrojtur ato që Ankaraja i sheh më së miri si interest e veta kombëtare në rajonin kurd.
Një nga objektivat e Rusisë, është që Asadi të mbetet presidenti i Sirisë. Moska mund të lejojë që Turqia të ndërmarrë operacione të kufizuara në rajonin kurd, jo vetëm për të ruajtur kompromisin me të, por edhe për t’i shtypur forcat kurde në bashkëpunimin me Rusinë, dhe me dakordësinë e regjimit të Asadit.
Rusia është duke zbatuar një strategji të kujdesshme – të kënaqshme për Turqinë, por jo në kurriz të sovranitetit të Asadit në Siri. Erdogan, ishte një kundërshtar i fortë i Asadit në vitet e para të konfliktit. Rusia llogarit njohjen e Asadit nga Erdogan, për të ndikuar mbi shtetet me shumicë sunite, që këta të kalojnë në kampin Rusi-Asad.
Ministri i jashtëm turk, ka deklaruar se Turqia mund të marrë në konsideratë bashkëpunimin me Asadin, vetëm nëse Siria mban zgjedhje demokratike. Natyrisht, presidenti sirian do të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të tilla, vetëm nëse është i sigurtë se do t’i fitojë ato.
Emiratet e Bashkuara Arabe, bënë me dije rihapjen e ambasadës së saj në Damask, një lëvizje që u pasua nga Bahreini. Edhe pse Arabia Saudite e ka mohuar për momentin hedhjen e një hapi të tillë, ka raportime mediatike se ministria e Jashtme saudite, është duke punuar për vendosjen e lidhjeve diplomatike me administratën siriane.
Këto janë shenja, se aktorët kryesorë në rajon, po përgatiten të njohin legjitimitetin e pushtetit të Asadit dhe të bashkëpunojnë me qeverinë e tij. Një hap i rëndësishëm në njohjen e Asadit nga Turqia, u hodh në takimin e 23 janarit në Moskë, midis Putinit dhe Erdoganit. Putin i kujtoi Erdoganit Paktin e Adanasë së vitit 1998, midis Turqisë dhe Sirisë.
Asokohe, pakti nxiti fillimin e një periudhe të lidhjeve të forta si dikur, midis Turqisë dhe Sirisë. Kjo deri më 2011, kur në Siri shpërtheu lufta. Erdogan e pranoi se pakti i vitit 1998, ishte ende në veprim, pra se Turqia dhe administrata e Asadit mund të punojnë së bashku kundër terrorizmit.
Edhe Trump, nuk duket se ka ndonjë problem me këtë gjë. Kur foli për fitoren në Siri, ai nuk përmendi Asadin, çka dëshmon se nuk ka rëndësi, nëse ky i fundit mbetet apo jo në pushtet. Shqetësimi kryesor, është se largimi i Shteteve të Bashkuara nga nga Siria, do të rifuqizojë ISIS-in. Grupi terrorist, ka humbur territore të mëdha dhe qytetet kryesore të Mosulit në Irak dhe Rakës në Siri.
Qyteti i fundit nën kontrollin e ISIS, Haxhin, ra nën kontrollin e forcave të koalicionit në dhjetorin e vitit të shkuar. Por pavarësisht nga këto fitore, është shumë herët të pretendohet fundi i Shtetit Islamik. Trump e ka një zgjidhje edhe për këtë gjithashtu:shpërndarja e detyrave tek të tjerët.
Në një postim në Twitter më 24 dhjetor, ai tha se se presidenti turk Erdogan do të “çrrënjosë çdo gjë që ka mbetur nga ISIS-i në Siri”. Kjo është një gjë shumë e vështirë të ndodhë, pasi shqetësimi kryesor i Turqisë është rajoni kurd në Sirinë Veriore, aty ku ISIS-i s’ka shumë gjasa të paraqesë ndonjë kërcënim.
Duke pasur parasysh se Rusia dhe Asad, do të jenë forcat kryesore në Siri, politikat e tyre do të përcaktojnë të ardhmen e ISIS-it. Shteti Islamik, do të përpiqet shumë që të mbijetojë. Ai ka ende një numër të madh komandantësh dhe luftëtarësh të kalitur në bëteja, që mund të vazhdojnë luftën në format guerile.
Ai ka gjithashtu celula në të gjithë Sirinë, për të kryer sulme vetëvrasëse në qytetet siriane, të ngjashme me ato që kanë ndodhur në Irak. Për sa më sipër, mund të thuhet se konflikti sirian nuk ka përfunduar. Kemi të bëjmë thjesht me ndjekjen e një trajektoreje të re. Tërheqja e SHBA-së, do të krijojë me siguri një vakuum pushteti, që do të mbushet shumë shpejt nga fuqitë e tjera rajonale si Turqia, Irani dhe Izraeli, nën syrin vigjilent të Rusisë. /Bota.al