ARISTIR LUMEZI/Flet pas 23 vitesh deputeti i anatemuar socialist. Ish-deputeti socialist, mjeku pediatër Sali Rexhepi, tregon se përse vendosi të marrë mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të kontestuara nga Partia Socialiste, më 26 maj 1996.
Si fitues në zonën e Përrenjasit, përballë ish-zv.ministrit të Industrisë dhe Minierave të PD, Rushan Koçibelli, me vota të numëruara nga komisionerët demokratë, Rexhepi shprehet se përfaqësoi në Kuvend besimin e votuesve të tij dhe u soll si deputet i pavarur.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, 23 vjet pas mandatimit të tij si deputet, në një situatë aspak të ngjashme me zhvillimet e sotme në politikën shqiptare, Rexhepi shprehet se fitorja e tij në një sistem maxhoritar është e drejtpërdrejtë dhe aspak si fitore e siglës së partisë. Si e mori mandatin e deputetit perballe nje kandidature te njohur ne zone, si e “kërcënoi” Kastriot Islami që ta linte mandatin e marre, dhe çfarë bisedoi me Pjeter Arbnorin. “Kastriot Islami kishte telefonuar disa herë. Më dhanë përpara një deklaratë të gatshme që të tërhiqesha nga zgjedhjet sepse po bëheshin presione në të gjithë Shqipërinë”- tregon mes te tjerash ai.
Si u bë e mundur përfshirja juaj në listat e PS-së për kandidat për deputet në zgjedhjet e 26 majit 1996?
Ishte një dëshirë e socialistëve të Librazhdit, duke më konsideruar si një njeri të ndershëm dhe me mbështetje në zonë. Edhe bindjet e mia ishin të majta. Ju ishit mjek pediatër, prej sa vitesh? Deri në atë vit shërbeja si mjek pediatër prej 20 vitesh, pothuajse i vetëm në të gjithë rrethin e Librazhdit, duke mbuluar një popullsi prej 80 mijë banorësh. Njëkohësisht, unë isha i zgjedhur po nga PS anëtar i Këshillit Bashkiak në Librazhd.
Në atë kohë kishim një sistem maxhoritar zgjedhor, kë kishit përballë si kundërshtar nga PD?
Përballë kisha një personalitet sa në shkencë por dhe si njeri, zv.ministër i Industrisë dhe Minierave, i cili kishte qenë prej 20 vitesh drejtori i Minierës së Përrenjasit, zonë ku unë konkurroja, Rushan Koçibelli, me të cilin unë nuk pata asnjë fërkim apo përplasje, si gjatë fushatës dhe pas saj.
Si u zhvilluan zgjedhjet në zonën tuaj?
Unë e deklarova dhe në fjalën e parë të mbajtur në Kuvend se zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë kishin shumë probleme, edhe në Librazhd po ashtu, por në zonën time nuk kishte asnjë problem. Unë kam pasur gjatë fushatës vetëm një prezantim në hapje të fushatës, ku të pranishëm ishin Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami. Ky ishte kontakti i parë me drejtuesit e PS-së, unë s’kisha hyrë kurrë në godinën e PS-së. Kur dolëm nga ky takim, Servet Pëllumbi më vuri dorën në qafë dhe u tha kandidatëve të tjerë “Saliun me sa pashë e kemi njeriun e sigurt që na sjell mandatin në Tiranë”. Ndërsa Kastriot Islami tha nëpër dhëmbë, “çfarë mandati do marri ai, ne s’do hyjmë fare në zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk do zhvillohen”. Gjatë fushatës vetëm në një takim me elektoratin më erdhi kryetari i PS-së së Librazhdit dhe kryesisht unë punova me krerët e PS në bashki dhe komuna. Në fillim të fushatës më thanë se ke një fond prej 1,5 milionë lekësh të vjetra nga partia për të përballuar fushatën. Nga ky fond unë mora 20 mijë lekë të vjetra, vetëm për të paguar karburantin për 20 ditë fushatë, pjesa tjetër e fondit do jetë andej akoma. Nuk bëhej fjalë në atë kohë që të paguaje njerëz me lekë që të votonin apo që t’i siguroje si komisionerë. Ka pasur një ndryshim esencial mes zgjedhjeve të sotme dhe atyre para 23 vjetëve.
Ju thoni që nuk patët probleme gjatë fushatës, por në Librazhd pati dhunë, cilët ishin kandidatët e PD-së në këtë rreth?
Në Librazhd kandidonte Azem Hajdari, si dhëndër në atë qytet dhe Tomorr Malasi. Kryetari i PS-së së Librazhdit u dhunua gjatë fushatës, unë e fotografova dhe ia dërgova “Zërit të Popullit”.
Në atë kohë pati akuza për përfshirje të SHIK-ut në zgjedhje, patët ju ndikim të SHIK-ut?
E vërteta është se mua më ndiqte nga pas një person gjatë fushatës. Unë e takova dhe i thashë, ik shiko punën tënde se të njoh familjen dhe babain, që e ke njeri të nderuar. Ai ishte një punonjës i SHIK-ut, i cili më tha se kishte marrë urdhër që të qëndronte afër kandidatëve.
Si u zhvillua votimi atë ditë?
Atë ditë, më 26 maj unë vendosa që të mos qëndroja në zonë, sepse fushatën e kisha përfunduar dhe dëgjoja se mund të kishte incidente. Rreth orës 12 më lajmërojnë për t’u paraqitur në PS e Librazhdit që të bëja një deklaratë për t’u tërhequr nga zgjedhjet. Unë nuk u paraqita, për 2-3 orë, ndërkohë që ndiqja raportimet në televizor. Në zonën time komunikoja me telefonat fiks se si ecte votimi. Kudo ku pyesja, më thoshin se isha para me vota. Rreth orës 2 të drekës, shkova në Librazhd, pasi Kastriot Islami kishte telefonuar disa herë. Më dhanë përpara një deklaratë të gatshme që të tërhiqesha nga zgjedhjet sepse po bëheshin presione në të gjithë Shqipërinë. Unë u thashë se unë në zonën time nuk kam probleme, më kërkuat që të sjell mandatin e deputetit në Tiranë dhe atë po bëj. Më thanë se ishte urdhër partie dhe duhej firmosur.
Ju e firmosët atë deklaratë?
Jo, unë nuk e firmosa, kandidatët e tjerë e firmosën. Nuk e firmosa me mendimin që doja që në këtë përballje para njerëzve, të dija se sa mbështetja dhe sa më donte populli ku unë kisha shërbyer si mjek prej 20 vitesh. Unë punën e kisha si mjek. Mesa mora vesh në darkë, këtë deklaratë nuk e kishte firmosur as Pandeli Majko, i cili ishte kandidat në Korçë. Pastaj më thanë, kot qëndrove në garë sepse ne do të heqim nga puna komisionerët tanë. E vërtetë, u dha urdhri dhe u tërhoqën të gjithë komisionerët e PS-së nga qendrat e votimit dhe të numërimit. Në orën 2 ata u tërhoqën. Komisionerë ishin intelektualë të besuar, inxhinierë, ekonomistë e mësues dhe unë pata një besim të verbër tek ata. Më 27 maj, që në 5 të mëngjesit, mora një ”Zuk” të Komunales dhe dola nga shtëpia për të parë si kisha dalë. Më thanë se në Përrenjas po të djegin fletët e votimit. Zonën e parë që pashë ishte Qukësi. Të parin që takova, takova kryetarin e një qendre votimi, e cila ishte totalisht e djathtë, ishin Blloshmit. Kryetari i qendrës së votimit po kthehej, pasi kishte dorëzuar kutinë e votimit. Ai ishte dhe kryeplak i fshatit dhe kryetar i PD-së, por dhe ish-mësuesi im i klasës së parë. Sali, më thotë, unë jam demokrat. Unë kam qenë mësuesi yt dhe të kam mësuar që të mos gënjesh dhe të mos vjedhësh. Ke fituar aty ku nuk fitohet dhe me diferencë të madhe, je me mbi 70 për qind të votave. Por kujdes se po të prishin fletët e votimit në Përrenjas dhe më përmendi një emër. Ndërsa në fshatin tjetër je lart fare. Në Mokër zihej kryetari i komunës me kryetarin e PD-së, të dy të njohurit e mi. Ata më thanë se ti ke fituar, por meqenëse ti nuk do shkosh në Kuvend, më mirë t’ia japim Rushanit, kandidatit të PD-së. Unë i thashë se do shkoj në Kuvend. Më pas kalova nga qyteti i Përrenjasit dhe më thanë për fenomenin që ndodhte. Kur pyes, më thanë dhe me shaka se: Në qendrën 1, 2, 3, 4 kisha fituar unë, në të katra qendrat kishte fituar Rushani. Por diferenca ishte e madhe. Duke parë këtë mbështetje të njerëzve, unë vendosa ta marr mandatin. Kur hyra në Kuvend, isha anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dhe pashë se kisha 15% vota më shumë si individ sesa si parti në zonën time. Kështu që vendosa të marr mandatin e deputetit./Panorama