Nuk ka ende një njoftim zyrtar se kur do të jetë seanca e radhës plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Paraardhësja u mbajt të martën kur opozita organizoi një protestë të beftë para parlamentit.
Më tej u njoftua se nuk do të ketë seancë ditën e enjte. Kështu, opozita anuloi edhe protestën e saj për ditën e enjte, pasi sipas axhendës së planifikuar, protestat do të mbahen vetëm kur të ketë seanca. Por brenda Partisë Demokratike po qarkullon informacioni se seanca e radhës plenare do të mbahet ditën e martë.
Kështu, PD nuk ka vonuar dhe u ka shpërndarë përkrahësve të saj, direktivat për tu organizuar për protestë më 5 mars.
Edhe pse jashtë Kuvendit, me mandatet e ‘djegura’, PD duket se ka ende ‘informatorët’ e saj mbi atë se çfarë ndodh dhe çfarë diskutohet për jetën parlamentare. Në mesazhin e shpërndarë për organizimin e protestës të martën, më 5 mars, thuhet se “porositë janë të njëjta si ato të planifikuara për në datën 28 shkurt (të enjten), që u anulua”.
Të martën opozita protestoi para Parlamentit, në një tubim që u përshkallëzua në tension dhe përplasje, djegie gomash, hedhje kapsollash e tymuesesh, si dhe në tentativa për të thyer kordonin e policisë para Kuvendit, teksa brenda sallës mbahej seancë plenare nga deputetët e mazhorancës ku u votua ngritja e strukturave të rëndësishme të reformës në drejtësi, këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.