Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për heqjen e taksës së mallrave serbi në shtetin e Kosovës.
Gjatë takimit me shefin e delegacionit të BE-së, ambasadorin Sam Fabrici, Vuçiç tha se shpreson që BE-ja do bëjë përpjekje shtesë për të detyruar Prishtinën të tërheqë taksën 100% pasi kjo sipas tij kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ka nevojë për një marrëveshje të qëndrueshme. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën kur taksa të shfuqizohet”, ka deklaruar presidenti serb. Nga ana e tij, Fabrici ka siguruar presidentin serb se BE-ja do të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Po ashtu, Vuçiç ka thënë se Serbia duhet të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u mbështetur më tej nga BE-ja.
Fabrici dhe Vuçiç kanë folur ndër të tjera për rrugën evropiane të Serbisë dhe zbatimin e reformave politike dhe ekonomike.