Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit, rezulton të jetë përgjuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në një bisedë telefonike me një person që në dosjen e organit të akuzës identifikohet si Niçja.
Pjesë e përgjimeve të Prokurorisë është një tjetër bisedë e zhvilluar mes një personi të paindetifikuar dhe Niçes, që kuptohet se është objekti i përgjuar në shumë raste nga organi i akuzës, ashtu si në rastin e telefonatës me kryebashkiakun.
Ndërsa në një përgjim të dytë flitej për blerje votash. Për këtë përgjim, Vangjush Dako tha se biseda të tilla në fushatë janë normale, pasi shumë njerëz vetëofrohen për të dhënë votën në këmbim të parave.
Partia Demokratike e ka akuzuar Vangjush Dakon se eshtë lidhur me bandën e trafikut të drogës në Shijak, të cilën, opozita thotë se e ka përdorur për blerje votash.
Me anë të një shënimi në “Facebook”, Basha shkruan:
Tashmë është e qartë për këdo se Edi Rama ka patur një plan të mirëmenduar e të shtrirë anembanë vendit, për bashkëpunim me krimin për të vjedhur zgjedhjet.
Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal. Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur.
Lënia e tij i lirë edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht bashkëpunimin me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë.
Dua t’i kujtoj Donika Prelës dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit, Tahirit e të tjerë, është veprim i rëndë kriminal për të cilën ato do të mbajnë shpejt përgjegjësi deri më një. Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti.