Kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje çështjen lojërave të fatit dhe pikave të basteve. Sipas tij prej 1 janarit nuk do të ketë asnjë qepen bastesh të hapur. Një premtim ky i bërë edhe para disa vitesh, prej kryeministrit.
Por, marrëdhënia e ngushtë e shqiptarëve me bastet e skedinat ka nisur prej viteve ’80. E prej atëherë duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Të gjithë janë të përfshirë në këtë fenomen, pa dallim moshe. Djem të rinj, familjarë të cilët luajnë deri në atë fazë kur bëhen të varur. Veç skedinave një përhapje shumë të madhe kanë marr edhe garat me qenë apo kuaj.
“Skedina nuk kam luajtur ndonjëherë, por gara me qenë po. Më mirë që të mbyllen se i lamë të gjitha lekët atje”, thotë për Tirana Today një adoleshent.
Skedinat për të kaluar kohën
Ndërkohë qytetarët thonë se vendosin skedina për të kaluar kohën dhe se nuk janë të varur. Ku sipas tyre gjithmonë luajnë me shumë të vogla.
“Luajmë nga gjëra të vogla përditë, 4-5 mijë lekë. Ka njerëz që luajnë nga 10 apo 20 mijë euro. Problemi qëndron tek lojërat e fatit, ato janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Atje lufton me korrentin, kurse këtu lufton me mendjen tënde dhe qëllon që ndonjëherë edhe fati të ndihmon.”
“Kur s’kam kohë të merrem me gjëra të tjera, vë ndonjë skedinë. Por, nuk është se jam i fiksuar, thjesht e vendos për qejf. Shuma më e madhe që kam hedhur, ka qenë te 10 mijë lekë dhe shuma më e madhe që kam fituar ka qenë 200 mijë lekë.”
Por, ndryshe mendojnë një tjetër pjesë e qytetarëve, të cilët shprehen për Tirana Today se ata persona që luajnë me skedina, nuk janë familjarë. Ndërkohë, të tjerë luten që të mos kenë fatin, ku fëmija i tyre të merret me skedina.
“Ishalla nuk e kam atë fat. Kjo është një ndër më të këqijat, është e njëjtë si vesi për drogën, me gjithçka,”-thotë një qytetare.
Kryeministri Rama në daljen e tij para mediave, i bëri thirrje edhe këtyre të fundit që brenda 24 orëve të heqin reklamat e pikave të basteve. TIRANA TODAY