Vijojnë kontrollet ‘blic’ nga Policia Rrugore e Tiranës, në funksion të shqetësimeve të qytetarëve për transportin publik, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Ditën e sotme, gjatë kontrollit është konstatuar një drejtues autobusi i linjës Tufinë-Qendër, i cili drejtonte autobusin në gjendje të dehur, ku testi i parë rezultoi 0.56 mg/l dhe testi i dytë 0.66 mg/l.
Drejtuesi i autobusit Besnik H, 52 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në kushtet e flagrancës për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.
Edhe gjatë fundjavës Policia Rrugore ka konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor; si drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur, pa Leje Drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara në autostradë e në qendrat e banuara, mosvendosje të rripit të sigurimit , për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për shkelje të semaforit, për mosshlyerje të masave administrative, e shkelje të tjera.