Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, paralajmëron se nëse Lulzim Basha do të vijojë të bunkerizojë Partinë Demokratike, grupi i mbështetësve të tij mund të shkojë drejt një projekti të ri politik.
Përse vendosët ta riaktivizoni “Lëvizjen për ringritjen e PD”, pas disa muajsh pauze të gjatë?
Nuk ka pasur asnjëherë pauzë, por një lloj tërheqjeje nga aktivitetet publike, për arsye taktike më shumë. E para, sepse pavarësisht bindjes sime të fortë personale se Lulzim Basha nuk e ka pasur asnjëherë ndërmend të reflektonte për humbjen dhe depresionin që ka shkaktuar në Partinë Demokratike, gjithkush ka të drejtë të mos paragjykohet. Dhe kjo vlen gjithmonë në politikë, por sidomos në Shqipëri, ku karakteri dhe parimshmëria e politikanit nuk konsiderohet me ndonjë rëndësi të madhe.
Duke i lënë shumë më tepër kohë, sesa ka qenë e nevojshme, kemi dashur që të bindet edhe demokrati më skeptik, se gjithçka ka ndodhur në këto 5 vjet në Partinë Demokratike ka qenë një projekt i zi i Lulzim Bashës për ta kthyer atë nga një shoqëri që vlerësonte aksionet dhe kontributet e secilit, në një biznes privat me një pronar të vetëm.
Tashmë, kam përshtypjen se për këtë është i bindur i madh e i vogël në Shqipëri, sepse fama i ka kaluar kufijtë e PD-së. Së dyti, sepse pavarësisht perceptimit gjerësisht të përhapur për vijimin e marrëveshjes së 18 majit, ne nuk kemi dashur që të dëmtojmë apo pengojmë Partinë Demokratike që të përfitojë nga skandalet apo aferat e mëdha të qeverisë, pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
E kemi ndjerë si detyrim ndaj shtëpisë sonë politike dhe nuk pendohemi për atë vendim, ndonëse rezultati nuk ka ardhur kurrë. Sepse për herë të parë në historinë e re të Shqipërisë ka ndodhur që qeveria të bjerë në pikiatë, ndërsa opozita të mos ngjitet as edhe një shkallë të vetme. Dhe ky është një tjetër rekord negativ i lidershipit të gabuar të Lulzim Bashës.
Ndaj sot ka skaduar edhe koha e fundit që i është lënë në dispozicion Lulzim Bashës për të bërë qoftë dhe një gjest të vetëm për bashkimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike. Të cilën ai e shpërdoroi, si shumë shanse të tjera që ka pasur gjatë jetës së vet politike, për mendimin tim, sa për dashakeqësi, aq edhe për paaftësi. Dhe kjo do të thotë se kambanat po bien sot për të.
Nuk e keni vlerësuar si të sinqertë thirrjen e Bashës për një bashkim të kontributeve në PD, që i jeni rikthyer sërish takimeve me demokratët?
Unë nuk e mbaj mend se kur ka qenë i sinqertë për herë të fundit Lulzim Basha, por ndoshta as ai vetë nuk e kujton dot se kur ka qenë ajo ditë. Ndaj kjo më duket pyetje pa kuptim. Sepse ai ka humbur tashmë çdo të drejtë për t’u besuar, madje edhe nëse e pyet për orën, nëse do të citoja këtu Ilir Metën.
Nuk besoj se pozicioni i Presidentit dhe ndryshimi i orës së Lulit në raport me LSI-në e ka bërë të pendohet për atë shprehje, që besoj se është edhe batuta e tij më e qëlluar në gjithë karrierën politike. Por përtej humorit, të gjithë duhet ta dinë se me ato që kanë ndodhur në Partinë Demokratike, asgjë tjetër përveç akteve të qarta nuk do ta rivendoste besimin e thyer të demokratëve, pas një serie të gjatë shkeljesh të rënda dhe thyerjesh flagrante të statutit, pothuajse të gjitha me vullnetin dhe me firmën e Lulzim Bashës.
Ndaj, jam i sigurt që kur ai thotë ndonjëherë se do përpiqet të bashkojë dhe hapë partinë, Lulzim Bashën nuk e beson edhe ndjekësi më fanatik i tij, gjithmonë nëse mund t’i ketë mbetur ndonjë i tillë. Nëse me këtë nënkupton që secili nga ata, që nuk bien dakord me mënyrën e drejtimit të tij, lejohen të pinë kafe te klubi i oborrit të SHQUP-it dhe kjo quhet ringritje e PD, e ka keqkuptim të madh, sepse atë gjë e bëjnë përditë njerëzit edhe pa licencë të posaçme nga kunati.
A ka lidhje ky rikthim i lëvizjes me riorganizimin dhe ndryshimet statutore, që pritet të nisin në PD?
Asnjë lidhje nuk ka, sepse edhe sikur të ketë vërtet ndryshime statutore, ato do të ishin, në rastin më të mirë, krejtë- sisht të pamjaftueshme. Në rastin më të keq, pastaj, do të ishin një përpjekje zjarrfikëse për të shuar revoltën apo refuzimin e demokratëve me një arnim në letër, që do të ishte njësoj si të vishje një plak shumë të vjetër me xhins dhe me këmishë sportive dhe ta shisje për të ri. Ne nuk jemi sot përballë Lulzim Bashës, sepse nuk kemi pasur statut të mirë, por më shumë për faktin se ai nuk është përfillur pothuajse gjithmonë, kur janë marrë vendime të rëndësishme.
Por mbi të gjitha, për shkak se në partinë tonë nuk bëhen zgjedhje, por votime të shpifura, ku katërfishohen apo pesëfishohen votat e shtëpisë, siç ndodhi më 22 korrik të vitit të shkuar dhe ky deformim nuk ka të bëjë me statutin. Unë nuk e pranoj dot këtë mentalitet otoman, që po mbizotëron dita-ditës, për fat të keq, në pothuajse të gjitha partitë shqiptare.
Por ne na intereson, në radhë të parë, Partia Demokratike, sepse nuk kemi marrë përsipër të ndryshojmë gjithë Shqipërinë. Të paktën, tani që po flasim. Nuk ka qenë gjithmonë kështu, por ky fenomen ka ardhur duke u përkeqësuar. Ku i pari konsiderohet sulltan dhe i lejohet gjithçka dhe pastaj duke filluar nga i dyti, madje edhe kryevezirit i numërohen edhe çapat e bukës apo lugët e shtëpisë. Dhe jo se kemi ndonjë problem apo xhelozi për pushtetin e pakufizuar të kryetarit, por se e kemi të gjithë parasysh greminën, jo vetëm elektorale ku ai na hodhi.
E shihni fundin e kësaj lëvizjeje si fillimin e një force të re politike?
Në politikë fundi nuk dihet asnjëherë, ndonëse politikanët me eksperiencë përpiqen t’u paraprijnë ngjarjeve. Vetëm Partia Demokratike gjendet sot në ditën e vet më të errët, sepse për herë të parë në histori nuk ka asnjë strategji apo projekt afatgjatë, por thjesht shtyn dhe konsumon ditët e veta.
Dhe ndjek çdo gjë që i del rrugës, a thua se është shoqatë joqeveritare apo portal informativ. Një ditë has ndërprerjen e ndihmës ekonomike, të nesërmen vrapon pas marrëveshjes së detit dhe një ditë më vonë e gjen duke ndjekur drogën e kapur në Durrës. Ndërkohë, që askush nuk e di se çfarë do bëhet me reformën elektorale, kur zgjedhjet vendore po trokasin në prag dhe struktura jonë politike është sa e shkalafitur aq edhe e demotivuar.
Kurse ne synojmë të sjellim një model të ri në politikën shqiptare, duke reformuar në radhë të parë Partinë Demokratike, sepse jemi dhe ndjehemi pjesë e saj. Por në rast se Lulzim Basha do të bunkerizojë më tej partinë për të ruajtur thjesht selinë dhe për të shtrënguar vulën, asgjë nuk mund të përjashtohet. E rëndë- sishme është që asnjë vendim nuk do të merret si qëllim në vetvete, por do të jetë i konsultuar me atë armatë demokratësh dhe të djathtësh, që janë të bindur që Partia Demokratike ka nevojë emergjente për ndryshim, të cilin nuk po e bën, sepse, sipas nesh, po mbahet peng. Edhe ky tur që kemi ndërmarrë në qytete të ndryshme të vendit, vetëm këtë synim ka.
Mendoni edhe ju si zonja Topalli që nëse vendit nuk i ofrohet një alternativë e re politike, Shqipëria mund të shkojë drejt destabilizimit?
Asgjë nuk është e pamundur, ndonëse ajo ditë më ngjan të jetë ende larg. Por është fare evidente që Shqipëria ndodhet në një krizë të fortë të sistemit politik dhe ka vetëm dy mënyra për ta goditur atë dhe ndryshuar për mirë këtë gjendje.
Duke e përmirësuar nga brenda, apo duke e sulmuar nga jashtë. Lëvizja jonë nënkupton reformimin e sistemit nga brenda dhe ne besojmë ende se kjo është një sipërmarrje e vështirë, por jo një mision i pamundur. Është e vetmja mënyrë për të evituar një formë radikale dhe revolucionare që mund t’i kërkonte ndryshimet në një linjë të ashpër, e cila mund të kishte pasoja të paparashikueshme.
Historia i njeh të dyja format dhe fakti që nuk ka shenja të afërta dhe të dukshme nuk duhet të na qetësojë. Nëse situata me korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin, padrejtësinë, pabarazinë, abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit do të vijojë të përkeqësohet, arsyet që sollën revoltat e 1997-ës do të na ngjajnë si motive të dobëta.
A mbështetet kjo lëvizje edhe nga kolegët e tjerë tuaj, me të cilët keni qenë pjesë e Parlamentit dhe betejave politike të PD-së në shumë vite?
Mbështetet nga shumë prej tyre, por mos prisni asnjëherë që të jemi patjetër të gjithë në një mendje. Unë për vete do të shqetësohesha nëse kjo do të ndodhte. Kjo lëvizje ka lindur pikërisht nga nevoja që të mos i ngjajë partive të kalbëzuara, ku mendon, vendos dhe vulos një njeri i vetëm. E rëndësishme është që ka një platformë politike rreth së cilës bashkohemi, e cila, mbi të gjitha, mund të plotësohet dhe të përmirësohet më tej. Pra, ne nuk jemi në krah të njëri-tjetrit për shkaqe simpatish apo miqësish personale, apo për interesa dhe llogari meskine, por se ndjekim një ide dhe jo personin apo personat, cilido qoftë ai apo ata.
Po ashtu, ftesa mbetet e hapur për këdo që mund t’i bashkohet asaj në të ardhmen, duke sjellë pa dyshim edhe kontributin e vet në një sukses të mundshëm të saj. Me sa kam dëgjuar dhe ndjekur edhe kolegë të tjerë, kemi diferenca shumë të vogla, ndaj edhe mendoj se ato janë krejtësisht të kapërcyeshme për ta kthyer lëvizjen në një front më të gjerë kombëtar.
A keni pasur takime me ish-Kryeministrin Berisha kohët e fundit dhe e mbështet ai këtë zhvillim të ri brenda PD-së?
Me Sali Berishën jam përshëndetur vetëm rastësisht, sa herë jemi shkëmbyer diku, gjatë këtyre kohëve, por nuk kam pasur asnjë takim për këtë çështje. Kjo është për sa më takon mua. Se çfarë mendon ai për lëvizjen tonë dhe në përgjithësi për gjendjen e vështirë, që po kalon Partia Demokratike, është një pyetje që i përket atij dhe askujt prej nesh.
PANORAMA