Lavdimir Brahimaj është shqiptari i arrestuar për vrasjen e avokatit grek Mixalis Zafeiropoulos, ngjarje e ndodhur në Athinë më 12 Tetor 2017. Nga burgu, 32-vjeçari shqiptar ka folur për një emision televiziv grek dhe ka përshkruar me hollësi nga e mori urdhrin për vrasje.
“Nuk doja që gjërat të përfundonin në atë mënyrë. E di se çfarë të keqe kam bërë, sepse edhe unë kam fëmijë, por nuk kisha mundësi të bëja ndryshe. Nuk shkova që ta vrisja. Më urdhëroi dikush, nuk dua që ta them emrin e tij sepse ka shumë pushtet. Ai më tha që të takoja një vajzë. E takova dhe ajo më dha një armë të vogël, jo 3 mijë Euro sikurse u tha në media. Ky person i fuqishëm më tha që të qëlloj avokatin me një plumb në këmbë për t’i dhënë një mesazh, nuk e di se çfarë mesazhi ekzaktësisht. Unë shkova sepse ai më kërcënoi nga familja, nuk e bëra për paratë”, tha shqiptari i arrestuar, shkruan tvklan.al.
Ai sqaroi se takimin me avokatin grek Zafeiropoulos në zyrën e tij në Athinë, e kishte organizuar personi i pushtetshëm që kishte dhënë urdhrin.
“Shkova në zyrën e tij me një person tjetër që kishte qenë i burgosur për rreth 7 vite. Personi që më dha urdhrin për të qëlluar Zafeiropoulon, kishte organizuar takimin. Hymë brenda dhe nisëm të bisedonim. Të dy kishim nga një armë secili, por njëra ishte me defekt. U ngrita në këmbë, ai që më shoqëronte nxorri armën i pari dhe i tha që të mos lëvizte. Nxorra edhe unë armën. Aty i kërkoi avokatit që t’i jepte një dokument që i kishte kërkuar personi që na kishte dhënë urdhrin dhe kishte organizuar takimin.
Më kishte thënë që të merrja dokumentin dhe ta qëlloja një herë në këmbë. Ky person nuk ka të bëjë fare me tre shqiptarët që aludohet në media se mund të jenë porositësit e vrasjes. Ai është shumë i fuqishëm dhe nuk njihet. Unë duhet të merrja dokumentet dhe më pas do më telefononte për të më thënë ku t’i dërgoja”, vazhdon dëshmia e 32-vjeçarit.
Por, gjërat shkuan keq. Sipas Brahimajt, avokati ishte i frikësuar dhe në momentin kur ai do ta qëllonte me plumb në këmbë, Zafeiropoluos u mundua të shmangej dhe plumbi e kapi në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen. Tashmë ai kërkon që t’i japë policisë dëshmi të re për këtë ngjarje, me kusht që të merret në mbrojtje familja e tij.