Marrja e presidencës së Bashkimit Evropian nga Bullgaria ngjall shpresat dhe krijon pritshmëri pozitive si për Kosovën, por edhe për vendin tonë. Drejtimi i unionin më të fuqishëm në Evropë, konsiderohet si një hap përpara të paktën për disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë optimistë dhe presin shumë nga kjo presidencë, ndërsa konsiderohet si një moment pozitiv edhe për Kosovën dhe shtetasit e saj.
Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi uron Bullgarinë për marrjen e timoni të BE-së, ndërsa kërkon që të ketë më shumë vëmendje për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetin e Bullgarisë e uroj për marrjen e kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së. Këtë detyrë po e merr në kohë sfidash për BE-në, por edhe në momente të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.Ne e mirëpresim kryesimin e Bullgarisë dhe presim që zëri i Ballkanit Perëndimor të dëgjohet më shumë në Bruksel dhe BE, duke kërkuar prej tyre që të mos lejojnë që rajoni ynë t’iu ikë nga duart dhe të rrëshqas në interesat e shteteve dhe ideologjive që nuk ia duan të mirën Ballkanit dhe Evropës.Shpreh mbështetjen e plotë të Kosovës për promovimin e integrimit sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në tërë kontinentin tonë”-shkruan Thaçi.
Ndërsa dëshira dhe besimi i Haradinajt lidhet me faktin se Bullgaria mund të luaj një mision shumë të rëndësishëm dhe pse jo të jetë një zë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian. Ai shton se Bullgaria duhet të luaj rolin e përafrimit të Ballkanit me Evropën dhe unionin e saj.
“E mirëpres marrjen e kryesimit të Këshillit të Bashkimit Europian nga Bullgaria mike, e cila jam i bindur se do të fokusohet në përafrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Në këtë kontekst, pres që Bullgaria të jetë edhe zë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Europian. Republika e Kosovës po e bën të duhuren në zbatimin e plotë të MSA-së dhe që këtë vit të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Besojmë palëkundshëm në mbështetjen bullgare në këto procese.Bullgarisë i dëshiroj lidership të suksesshëm gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së”-shkrun mes tjerash Haradinaj.