Kuvendi i Shqipërisë votoi vetëm me votat e socialistëve kryeprokurorin e përkohshëm gjatë procesit të votimi 5 ditë më parë në Kuvend. Mënyra e zgjedhjes është kontestuar dhe nuk kaloi pa përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Kur kanë kaluar vetëm 5 ditë nga ky proces, ambasadori italian në Shqipëri ka dënuar veprimin e mazhorancës dhe formën në të cilën u votua për kryeprokurorin e përkohshme.
“Personi i zgjedhur përtej meritave të tij profesionale, që sigurisht janë shumë dhe prandaj nuk duhet të minojnë punën e saj, u zgjodh vetëm nga një parti politike dhe kjo mendoj se ishte një mundësi e humbur”,– u shpreh ambasadori Alberto Cutillo për Radio Radicale.
Diplomati italian shtoi se duhej të ishte zgjedhur një prokuror konsensual, pasi kjo situatë ndonjëherë mund të zgjasë për një kohë të gjatë.
Ambasadori shtoi se prokurorja “është e përkohshme, por askush nuk mund të na tregojë se sa kohë do të zgjasë dhe ndonjëherë situata e përkohshme mund të zgjatet në kohë. Kështu, në të mirë të Shqipërisë, një zgjedhje konsensuale do të ishte e përshtatshme, një zgjedhje që për këtë arsye nuk krijon ndarje. Për fat të keq, dhe këtu themi se partitë politike duhet të vënë në pyetje përgjegjësitë e tyre përkatëse, për fat të keq nuk kemi arritur në këtë lloj zgjedhjeje”.
“Duhet të jemi të vëmendshëm për respekimin e ndarjes së pushtetit”, tha Cutillo duke folur për zbatimin e reformës në drejtësi. TIRANA TODAY