Zbatimi i drejtë i procesit të vettingut do të sjellë një rritje të besimit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Forcimi i ligjit do të sjellë edhe më tepër garanci për investitorët e huaj dhe ata vendas, deklaron në intervistë për DW, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.
Kreu i Shtetit ndodhej në një vizitë në Berlin, ku pati një takim me homologun e tij Gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Z.President ju erdhët në Gjermani menjëherë pas zgjedhjeve që u zhvilluan së fundmi për parlamentin gjerman. Ishte kjo një rastësi apo e kishit më herët parashikuar?
Vizita ka qenë e përgatitur prej kohësh dhe natyrisht nuk mund të neglizhojmë dhe faktin që ndodh dy ditë pas zgjedhjeve të funti në Gjermani. Njëkohësisht tregon se asgjë nuk do të ndryshojë në partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Edhe fakti që kjo vizitë ishte nga vizitat e para të planifikuara dhe me ftesë të presidentit të Gjermanisë, tregon se Shqipëria është në vëmendjen e vazhdueshme, së bashku edhe me rolin e saj në Ballkanin Perëndimor; dhe në qendër të politikës së jashtme gjermane.
Cilat kanë qenë disa nga temat që trajtuat me presidentin gjerman?
Temat kanë qenë mjaft të qarta dhe të përbashkëta për të dy vendet, tema të cilat kanë të bëjmë me të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe me rëndësinë e suksesit të zbatimit të reformave me qëllim përshpejtimin e kësaj të ardhme, dhe për çeljen e negociatave. Kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë përmes kontributit të përbashkët, ku Shqipëria ka rolin e saj në një rajon me sfida, dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër terrorizmit, emigracionit të paligjshëm, ekstremizmit të dhunshëm, dhe përmes kontributit që Shqipëria jep për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, dhe përmes rritjes së vazhdueshme të frymës së bashkëpunimit rajonal. Shumë e rëndësishme është të vazhdojmë përpjekjet për të çuar përpara dhe zbatuar me sukses reformën në drejtësi, e cila është tepër e rëndësishme për të forcuar zbatimin e ligjit, si dhe për të rritur sigurinë juridike për investitorët vendas dhe të huaj, gjë për të cilët edhe vetë Gjermania është mjaft e interesuar.