Ballkani ka qenë gjithmonë në vëmendjen e fuqive të të huajve dhe në veçanti në orbitën e diplomacisë dhe të shërbimeve sekrete ruse. Rusia ka qenë gjithmonë e pafuqishme në këtë zonë gjeopolitike por nuk ka reshtur së financuar projekte të ndryshme kulturore, krijimin e qendrave gjoja me pretekstin humanitar si Qendra e spiunazhit në Nish të Serbisë. Sidomos gjatë viteve të fundit përpjekjet ruse kanë pësuar një ndryshim rrënjësor duke kaluar nga modus operandi “soft” me joshjen e politikëbërësve me anë të ndihmave, investimeve në fushën të ndryshme të ekonomisë duke kaluar vit pas vit në atë që quhet “Hard way” dhe “hard espionage manners”, “aggressive attitude”. Mënyrat e evidentuara si vegla të shërbimeve sekrete ruse nxjerrin në pah dobësinë dhe pafuqinë e Moskës për të depërtuar dhe për të manipuluar zgjedhjet, mënyrën e vetëqeverisjes në vendet demokratike dhe gjithmonë me objektivin e krijimit të situatave të Kaosit në vende si Maqedonia, Mal i Zi, Kosova dhe pse jo edhe në Shqipëri.
Shqetësimi i DASH
Shqetësimi i ri shprehur kohët e fundit nga Departamenti i Shtetit të SHBA por edhe nga partnerët evropiane theksojnë faktin se Rusia po shpenzon shumë energji, buxhet shtetëror për financimin e OJF, NGO, NPO, qendrave të Spiunazhit në Nis dhe në Sofie të Bullgarisë me të vetmin synim rritjen e pranisë ruse dhe të ruso-folësve në vendet e Ballkanit. Rusia e ka humbur tashmë betejën e saj në Ballkan dhe përpjekjet e viteve të fundit dëshmojnë një dështim total të diplomacisë së jashtme ruse në përgjithësi dhe të Shërbimeve Sekrete SVR dhe GRU në veçanti. Ekonomia ruse është zhytur në një krizë të thellë dhe letargjia ka kapur çdo aspekt të ekonomisë ruse e cila gulçon në agoni si ujku i plagosur keq të cilit i kanë mbetur edhe pak ditë jete dhe nuk mund të ndalojë të pakthyeshmen.
Serbia si patericë
Rusia e ka humbur Ballkanin dhe e vetmja patericë mbështetëse është Serbia, e cila nuk i përmbush dot nevojat e theksuara të Rusisë për të kontrolluar Ballkanin. Rusia nuk e ka më në kontroll Ballkanin dhe faktet dëshmojnë që edhe rritja e numrit të agjentëve sekretë rusë, të cilët veprojnë në kamuflim si biznesmenë, gazetarë- si në rastin e gazetarëve të arrestuar në Kroaci dhe të dëbuar nga Kosova, Mal i Zi, pasi u dokumentua se ishin pjesë e SVR-së që mbanin lidhje me Ambasadën ruse në Tiranë, evidenton dështimin e aktivitetit të diplomacisë ruse në Ballkan.
Gjeopolitika në Ballkanin
Në këtë kuadër, lidhur me pozitën e Rusisë në raport me Ballkanin, Analistë të shquar, gjeopolitika serioze vlerësojnë se “ Gjeopolitika është rikthyer në Ballkan”. Kështu mund të përmendim zotin David McAllister, kryetar i Komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Evropian. Të cilët citojnë: “Po shohim shtimin e përpjekjeve dhe metodave jo demokratike nga ana e diplomacisë ruse me qëllim forcimin e ndikimin të Rusisë në vendet e Ballkanit. McAllister e përshkroi rolin e Rusisë si negative, duke përmendur përfshirjen e dyshuar të Kremlinit në një grusht shteti të dështuar në Mal të Zi, si dhe mbështetjen e Moskës për krerët nacionaliste në rajon. Gazeta “ The Guardian” shkruante para pak ditësh: “ Operacionet për rritjen e ndikimit Rus, në bashkëpunim me inteligjencën serbe kanë qene gjithmonë prezent në Ballkan. E, këto ranë në sy më tepër se kurrë pas vitit 2008, kur Greqia bllokoi përpjekjet e Shkupit për anëtarësimin në NATO. Këtu ishin prezent agjentë e diplomatë rusë prej gati një dekade që synonin të përhapnin propagandën e Moskës”.
Korrupsioni dhe rreziku i destabilitetit të Ballkanit
Ka edhe dokumente të zbuluara nga Organizata Botërore për raportimin e korrupsionit që sjellin fakte se shërbimi sekret rus në bashkëpunim me serbët ka punuar në mënyrë aktive për destabilizimin e rajonit. E veçanta e fokusit të tyre ka qenë Shkupi i “ Vëllezërve Sllavë”. Ku prej vitesh është punuar me metoda të ulëta që të krijojnë konflikte etnike dhe politike. Po ti vështrosh me vëmendje ngjarjet e kohëve të fundit arrin në konkluzionin se Moska i ka shtuar tentativat për ndikim në shtetet e ish Jugosllavisë me pikësynimin kryesor që të ndalojë bashkimin e tyre me Aleancën e Atlantikut (NATO). Madje, në një dokument të zbuluar kohët e fundit nga shërbimet maqedonase të inteligjencës synohet që Moska të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me shtetet e Ballkanit. Veçanërisht me pikësynimin që Maqedoninë ta kthejë në vartësinë e saj. Jo rastësisht gjejmë aty tre agjentë të shërbimit sekret rus SVR, të vendosur në Shkup. Të cilët mbikëqyreshin nga stacioni i këtij shërbimi në Beograd. Gjithashtu Ambasada e Rusisë në Shkup kishte 4 agjentë të GRN-së që me veprimet e tyre koordinoheshin nga Baza e GRN-së së Sofjes. Aty kjo agjenturë punoi me nge, se kishte mbështetjen e Nikola Gruevskit. Njëherësh më vjen në kujtesë edhe një kërkesë e Ambasadës ruse në Tiranë që kërkonte të sillte 20 agjentë rusë ( patjetër ustallarë) me pretekstin se rrezikohej nga grupet kriminale, thua ti se ne nuk i kemi siguruar Ambasadat. E kjo kërkesë vjen tamam në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit. Është më se e qartë se me ardhjen e Putinit, ustait të KGB-së Ruse në krye të Kremlinit u ngjall me një oreks të paparë ëndrra ruse e kahershme për të dalë në Detin Mesdhe.
Ekspansioni rus
Ky ekspansion në Ballkan e ka zanafillën me “Vëllazërinë Sllave” malazeze e më pas me atë maqedonase, ku në pararojë ishin shërbimet inteligjente që mbështeteshin në biznesmenë e që përpiqeshin të vinin nën kontroll ekonominë malazeze. Bënë të pamundurën atje por megjithatë Mali i Zi sot është Anëtar i NATO-s. Për ta ilustruar po sjell një argument. Në fund të tetorit të vitit 2016 shefi i sigurimit të Federatës Ruse Nikolai Patrushev bëri një vizitë në Serbi pikërisht në ditët kur në Mal të zi diskutohej skandali i pucit politik, tentativa për të rrëmbyer ish kryeministrin e shtetit të vogël ballkanik. E tamam në këtë vizitë Patrushev nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Brendshëm të Serbisë, me qëllim që të kishte kanale të drejtuara komunikimi në çështjet e sigurisë. Pra Rusia po përdor një strategji të një lloji propagande, madje jo rrallë në ato vende ku ka interes. E kjo lidhet me glorifikimin e Rusisë duke shfaqur forcën e saj ushtarake, pa lënë në hije problemet ekonomike në rajon.
Ndërhyrja e SHBA-ve
Vetëm pak ditë më parë Administrata e SHBA-së ka zgjatur edhe një vit tjetër vlerësimet dhe masat për Ballkanin që rrjedhin nga urdhërim Ekzekutiv Nr.13219, i datës 26 qershor 2001, çka do të thotë se edhe sot, rajoni ndodhet në një situatë që përfaqëson kërcënime të pazakonta për interesat e SHBA-së dhe politikës së saj të jashtme e deri përtej 26 qershorit të vitit 2017. Ky urdhër ekzekutiv i lëshuar në atë kohë nga Shtëpia e Bardhë, lidhet me ngjarjet e atëhershme në Maqedoni që çuan në Marrëveshjen e Ohrit, dhe përshkuan masat që duhen marrë për aktorët dhe personat e përfshirë në aktivitete që dëmtojnë interesat amerikane në Rajon, të cilat perceptohen si interesa që përputhen me ato për sigurinë e disa vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë. Dihet historikisht që Ballkani është një rajon krejtësisht i paqëndrueshëm, ku një shpërthim mund të ndodhë në një kohë shumë të shkurtër. Ja cilat janë disa nga format dhe metodat e dokumentuara tashmë që përdorin shërbimet sekrete ruse të inteligjencës për të manipuluar, dezinformuar dhe influencuar në vetëqeverisje, ndërhyrje në zgjedhjet e lira si dhe në shkeljen e të drejtës ndërkombëtare për ruajtjen e sovranitetit dhe territorit të vendeve të Ballkanit dhe Botës. Disa nga format më të zakonshme të përdorura nga shërbimet sekrete ruse që operojnë në Rajonin e Ballkanit janë: Rusia nuk ju beson elitave lokale Ballkanike, por preferon paranë dhe kërcënimin, duke luajtur me shtete klienteliste dhe shtetet e kapura. Pikërisht te këto shtete është paraja që hyn më shumë në lojë. E për këtë akordohen më shumë para për Evropën Juglindore.
Kompanitë energjetike
Duke filluar që nga fundi i shekullit të kaluar, kompanitë e fuqishme energjetike ruse si Lukoil dhe Gazprom kanë marrë kontrollin dhe kanë depërtuar thellë në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Bosnjë – Hercegovinë. Më këto mënyra Moska shfrytëzon pikërisht këtë ndërvarësi ekonomike në fushën e gazit. Kur kjo nuk “ka pirë ujë” sikurse ndodhi në Mal të Zi, atëherë Moska mundohet të nxisë investime në sektorë të tillë, si bankat, pasuritë e paluajtshme, turizmi për të kontrolluar edhe këto sektorë.
“Doktrina Gerasimov”
Ato më sipër janë pjesë e të ashtuquajturës “Doktrina Gerasimov” e cila krahas përtëritjes së fuqisë ushtarake konvencionale, parashikon sidomos përdorimin gjithnjë e më shumë të metodave të njohura ndryshe si “Brezi i Ri” hibrid ose jolinear i kërcënimeve, të cilat përfshijnë operacione të fshehta të shërbimeve inteligjente, si lufta kibernetike, apo përhapja sistematike e lojërave të rreme, denigrimi i figurave të shquara të jetës politiko-sociale, dezinformacionet të publikuara në media pro ruse, të cilat proklamohen si të pavarura por financohen në mënyrë të fshehtë nga Moska. Operacione këto, te kombinuara me ato ushtarake, me intensitet të ulët për të mos u shfaqur si të tillë. Sigurimi ka qenë e mbetet sabotim dhe destabilizim i shteteve evropiane në tërësi, dukë i zhvendosur përpjekjet dhe burimet sidomos në terren. Referuar aty nga viti 2010, M15 (shërbimi Britanik i Inteligjencës) paralajmëronte se kërcënimi nga spiunazhi rus vijon të jetë serioz, madje i ngjashëm me Luftën e Ftohtë, ku numri i oficerëve rusë të inteligjencës në Londër është i njëjtë me atë të kohëve sovjetike. Pra një nga detyrat që u caktohet agjentëve rusë të mbuluar në SHBA të penetrojnë në institutet “think-tours” si dhe në burime të tjera të hapura.
“Masa Aktive”
Një analizë e detajuar e problematikave të shfaqura ndër vite të çon në konkluzionin se operacionet më me interes të agjentëve rus janë ato që ata i quajnë “Masa Aktive” të cilat përfshijnë që nga vrasjet deri në përmbysje politike siç u tentua para disa kohësh në Maqedoni, pavarësisht se nuk ju arrit qëllimit për të vrarë kryeparlamentarin shqiptar. Në qendër të konceptit të tyre të punës së Inteligjencës ruse është ndërhyrja në çdo aspekt të jetës social-politike të një vendi deri në kontrollin e aktiviteteve në institucione, banka, bamirësitë në OJF të ndryshme madje edhe duke influencuar pushtetin e katërt të vendeve demokratike: Median e Lirë, gazetarë, operatorë, publicistë, analistë e deri në shoferët e kamionëve.
Krijimi i frikës
Qëllimi dhe synimi rus është krijimi i frikës, terrorit dhe i pasigurisë, minimumin e vullnetit politik e publik deri në zhytjen e vendeve në anarki. Po ashtu kanë pikësynim diskreditimin e individëve apo grupeve të caktuara që ndjekin politikën që Moskës nuk i pëlqen. Moska ofron e mbështet çdo lëvizje politike që largon një vend evropian nga Bashkimi Evropian. I tillë është sidomos rasti i Greqisë. Rusia studion vendet ku ligjin e bën ekonomia e zezë me qëllim që në to të bëj lëvizje të fuqishme parash të dyshimta. Synon që në vende të vogla siç është rasti i Qipros apo Republikës Ceke, si dhe Bullgarisë të lëvizë para në atë masë sa të përmbys situata politike kur t’ia kërkojë nevoja. Nga sa thamë më sipër nuk duket të harrojmë pengun rus për Shqipërinë. E si mund ta harrojë Kremlini Vlorën. Jo kot edhe mbas pesëdhjetë e kusur vjet është aktuale shprehja: “Do ta kërkosh Vlorën o Gjeneral”.
Qëllimet strategjike
Pra, të gjitha format, metodat, kapacitetet e sipërpërmendura që Rusia përdor për qëllimet e saj strategjike, veçanërisht në rajonin e Ballkanit, janë po ato forma, metoda e kapacitete që përdor edhe në Shqipëri. Sidomos në vitet e fundit kryediplomati rus në Tiranë ka vënë objektiv kryesor të përfaqësisë diplomatike ruse- kapjen e mediave dhe shfrytëzimin e çdo mundësie për të ndikuar sadopak opinionin shqiptar. Përdorimi i mediave është një nga format e përdorura nga shërbimet sekrete ruse edhe në vende të tjera ku janë dokumentuar rastet e përfshirjes së tyre si në Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë. Nëse shfrytëzimi i medias, gazetave, publicistëve nuk arrin efektin e dëshiruar atëherë kalohet në masat e tjera pak më të kushtueshme siç janë organizimi i evenimenteve kulturore- OJF- Bota Ruse, shoqatat e bashkatdhetarëve, dhënia e dhuratave apo dekoratave për të tërhequr sa më shumë të rinj. Shtresa sociale më vulnerabël në vendet e Ballkanit janë padyshim njerëzit në nevojë dhe moshat e reja ku dhe synimet e shërbimeve sekrete ruse në Shqipëri janë më të theksuar. Dhe nuk është aspak e rastit,që pothuajse në mënyrë sinkrone ajo i përdor këto edhe me vendin tonë me qëllim që të krijojë situata mbytëse e izoluese. Jo më kot SHBA jep alarmin se Ballkani është i kërcënuar nga ndikimi rus.
Deklaratat e Hayt Brian Yee
Referuar edhe deklaratave të zyrtarit të lartë Amerikan Hayt Brian Yee, i cili para pak kohësh ka dhënë detaje mbi mënyrat që po përdor Moska me Ballkanin Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh në këto shtete të brishta. Ku mangësitë ligjore dhe mediat jo të lira i kanë hapur rrugë një korrupsioni të rrënjosur thellë që vë në rrezik këto demokraci të reja. Duke e parë me vëmendje del se Serbia është natyrshëm plasdarme nga ku dorëzohen planet e programet ruse në Ballkan. Për këtë është ngritur dhe po aktivizohet gjithnjë dhe më shumë Qendra e spiunazhit rus në Nish në Serbinë Jugore. Gazeta Gjermane Welt shkruan se Rusia dhe Serbia, që në maj të vitit 2014 kanë nënshkruar një marrëveshje mbi partneritetin strategjik duke mbështetur njeri – tjetrin me shkëmbime informacioni si dhe kryerjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Është për t’u përmendur rasti i trenit që donte të hynte në Kosovë me tabelën Kosova është Serbi.
Kujtojmë se ky tren është prodhim rus. Gjë që mund të sillte konfrontim ushtarak nëse nuk zgjidhej si dhe ç’ndodhi në fakt. Janë dokumentuar tashmë se shërbimet sekrete ruse fshiheshin pas krizës institucionale e politike të Maqedonisë. Apo tronditja e Malit të Zi nga përpjekjet për grusht shteti në dobi të Moskës. Pa harruar këtu edhe thirrjet kërcënuese nga dy Ministrat më me peshë të Greqisë aktuale ai i Punëve të Jashtme dhe ai i Mbrojtjes. Qëllimi është që Shqipërisë krahas goditjeve që mund t’i jepen nga brenda me të gjitha format, metodat, kapacitetet dhe burimet ruse apo të financuara nga Rusia, të rrëshqasë në destabilizim të herëpashershëm.
Synimet e shërbimeve sekrete ruse të dislokuara në Tiranë këtu e pesëdhjete vjet më parë kanë qenë dhe janë ato që Rusia do që të gjejë momentin për ta shkatërruar e për ta ndaluar Shqipërinë drejt rrugës së saj evropiane. Jo më kot Putini ka emëruar Drejtor të Shërbimit Informativ Rus një bashkëpunëtor të tij personal.
Kremlini është tepër i interesuar deri në kontrollin e bankave, gjë që paraqet rrezik siç ndodhi në Greqi. Është e interesuar shumë në fushën e turizmit dhe bursave që jep për studime në Rusi. Por, Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s si dhe me pretendimin për t’u anëtarësuar në Evropën e Bashkuar. Sa për investimet, mjafton të themi se në bregdetin shqiptar sot dominojnë investimet Gjermane. Nuk duhet të harrojmë se investimet ruse mbartin nga pas dorën e Putinit dhe të makinerive të spiunazhit rus të cilët kontrollojnë çdo kapital në Rusi dhe në çdo vend ku investohet kapitali rus, raporton REL.
Çdo investitor ka si qëllim rritje të fuqisë së kompanisë së tij ndërsa kompanitë shtetërore ruse të kontrolluara nga Moska kanë të vetmin qëllim: Rrënimin e tregut të lirë, zhdukjen e konkurrencës dhe shfrytëzimin deri në mbarim të çdo resursi dhe burimeve natyrore të një vendi. Shqipëria nuk ka nevojë për investime të tilla, Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë rrugën e saj drejt vendeve demokratike- ku opinionet e ndryshme nuk zhduken apo burgosen në përjetësi së bashku me analistët e lirë ashtu siç ndodh sot në Rusinë e Largët.