Europarlamentari, Eduard Kukan do të jetë në krye të Misionit Mbikëqyrës të BE-së për zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.
Lajmin e ka konfirmuar vet Kukan në një postim në faqen e tij në FB, teksa shpreh kënaqësinë për këtë detyrë dhe simpati për Shqipërinë, me të cilën ka një raport jo të ri.
“U zgjova në Tiranë sot në mëngjes. Më pëlqen Shqipëria, është një vend interesant dhe i bukur. Unë vij këtu prej vitesh dhe kjo më bën të ndihem si në shtëpi. Që nga sot, unë jam kreu i Misionit të Mbikëqyrjes së BE-së në zgjedhjet parlamentare që do të jenë këtë të diel. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të vendit, vazhdimin e reformave dhe integrimit me BE. Shqipëria është partneri ynë në NATO dhe një kandidat për anëtarësim në BE. Unë kam takime sot me krerët politikë të partive të ndryshme. Të dielën, së bashku me kolegët e mi nga Parlamenti Evropian, ne do të ndjekim zgjedhjet anembanë vendit”, shkruan Kukan.