Deputetja Majlinda Bregu nuk e ka mohuar mundësinë për të kandiduar ndaj Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike.
E ftuar në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, Bregu tha se është Lulzim Basha ai që mban përgjegjësi në rast se Partia Demokratike i humb zgjedhjet.
Pyetjes nëse do të garojë në korrik me kreun e PD-së, Bregu nuk iu përgjigj as pozitivisht dhe as negativisht, ndërsa la të kuptohet se mund të jetë ajo një nga emrat në garë për kreun e demokratëve.
“Sesi do të vijojë aksioni i të ‘përjashtuarve’ brenda Partisë Demokratike, këtë do ta shohim nga e hëna e në vijim”, tha Bregu.
PJESË NGA INTERVISTA:
Do t’i nënshtrohet votimit në parti Basha?
Kemi zgjedhjet në korrik, ky nuk është lajm, nuk është e re, le të presim datën 25 qershor. Dhe më lejo meqënëse nuk do të kem mundësi për të folur nesër që t’ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve dhe atyre që mendojnë se politika u është larguar pritshmërive të tyre për tu zgjidhur halle dhe probleme, edhe atyre që janë më mosbesues se politika sjell ndryshim apo atyre që janë tërësisht apatikë dhe mendojnë se politikanët janë të gjithë ose të korruptuar o të gjithë kriminelë, o mendojnë vetëm për veten e tyre; ose janë një tufë mediokrish të cilëve në një moment të caktuar u jepet shansi për të qenë diku dhe pastaj vishen me aliazhin e të mençurit, e të bukurit, e akademikut, të plotit, të riut e kështu me radhë; që të dalin të votojnë ditën e dielë. Nuk ka asgjë më të keqe se sa një fletë votimi bosh dhe nuk ka asgjë më të mirë se sa shprehja me votë e dëshirës apo mos dëshirës për të votuar një forcë politike.
Mund të jetë Majlinda Bregu përballë Lulzim Bashës në garën për kreun e Pd?
Po flas për 25 qershorin, kjo për mua është dita më e rëndësishme dhe i bie të jetë 48 orë më pas. Kjo është gjëja më e rëndësishme, PD ka rëndësi, jo individët.