Demokratët kanë votuar Lulzim Basha për të udhëhequr PD-në edhe për 4 vitet e ardhshme. Një ditë më parë, partia opozitare zhvilloi zgjedhjet për kryetarin e saj, dhe në përfundim të tyre Basha u shpall fitues. Rezultati zyrtar do të shpallet sot pas orës 09:00, por sipas të dhënave paraprake, Basha është kandidati më i votuar ndër 3 kandidatët e tjerë që e sfiduan për të drejtuar partinë më të madhe në opozitë. Basha ka siguruar mandatin e tretë në krye të partisë së dytë më të madhe në vend, me rreth 81% të votave.
Basha mori 81% të votave ose 32.882 në total në të gjithë vendin. Pas tij më shumë vota grumbulloi Agron Shehaj, 6038 vota. Edit Harxhi mori 991 vota, ndërsa Fatbardh Kadilli 763 vota. Në total në të gjithë degët e PD-së votuan 41.095 anëtare ose 54.7% e totalit.
Akuzat nga rivalët
Bujar Nishani e cilësoi maskaradë elektorale, duke lënë të kuptohet se është manipuluar procesi nga Lulzim Basha. Ndërkohë që pati edhe ankesa nga shumë anëtarë të PD-së se nuk e kishin emrin në listë për të votuar.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, ka hedhur akuza të forta duke thënë se 50% e anëtarësisë së PD-së është zhdukur brenda 3 muajsh. “Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët, Basha e bëri brenda PD-së”. Kjo fjali e Nishanit është përdorur për të treguar se kryedemokrati ka manipuluar zgjedhjet.
Edvin Kulluri e ka cilësuar procesin e zgjedhjeve për kryetar të PD-së, si një proces qesharak dhe të turpshëm. Ai tha në një intervistë për ‘Report Tv’ se mijëra demokratë u lanë jashtë listave të votimit, dhe nuk kishin mundësi që të votonin.
“Është e qartë se ka pasur një problematikë të madhe pothuajse kaotike. Janë futur të votojnë njerëz pa karta anëtarësie. Ka pasur një manipulim të hapur dhe flagrant të procesit zgjedhor. Drejtimi i partisë, duke filluar nga kryetari dhe gjithë drejtuesit. Janë me mijëra njerëz, unë kam votuar pasi jam i njohur nga komisioni. Por mungojnë me mijëra anëtare të PD-së në listat e Partisë Demokratike. Ka prova të pafundme të manipulimit të procesit. Ky është një proces qesharak, është një turp për lidershipin e PD-së. Kjo është një ditë shumë e trishtë për PD-në. Kemi një kryetar opozite që manipulon votat. Nëse ne nuk ndahemi dot nga modeli i Lulzim Bashës, nuk kemi mundësi të fitojmë ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri. Kjo është kryer në sekt personal, nuk është puna se ka marrë në qafë opozitën, por një vend të tërë duke lënë vendin pa alternativë. Këtu bëhet fjalë për marrje peng të Partisë Demokratike”, tha Kulluri.
Indrit Hoxha, një tjetër anëtar i Partisë Demokratike deklaroi nuk e ka gjetur emrin në listë për të votuar për të zgjedhur kreun e PD-së.
Indrit Hoxha në një shënim në rrjetet sociale thotë se ky është një turp që rëndon mbi Lulzim Bashën, dhe se askush nuk e largon dot nga PD-ja. “Shkova ne njesine 8 ne degen e PD per te votuar, dhe rezultoi qe emri im ishte hequr si antar i PD, ky eshte nje turp qe rendon mbi Lulzim Bashen. Ti mund te kesh ne dore heqjen dhe vendosjen e emrave ne liste, por nga PD ti sme largon dot, perkundrazi me kete veprim te ulet komunist qe ke bere thjeshte me ke motivuar me shume per te folur dhe luftuar mbi vlerat dhe parimet e meritokracise dhe mirenjohjes politike. Aksionet e mia ne PD ti nuk i fshin dot, je antar me i vone se une PD”, shkruan Hoxha.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, në një deklaratë për mediat u shpreh se në përgjithësi anëtarët të cilët nuk kanë pasur emrin në lista, dhe kanë pasur kartën e anëtarësisë, kanë pasur mundësi që të votojnë. Gjana shtoi se emri në lista është ndryshuar për shkak të përpunimit në sistemet e IT të emrave.