E mërkurë, 8 Dhjetor, 2021
-0.5 C
Tirana

1 prill 1966: Kur Mao nisi Revolucionin Kulturor, që shkaktoi vdekjen e mbi 2 milionë kinezëve

Nga Tom Phillips “The Guardian”

Revolucioni Kulturor i Madh Proletar në Kinë, ishte një periudhë 10-vjeçare e kaosit politik dhe social, i ndërmarrë nga Mao Ce Duni, përmes përdorimit të turmave për të rivendosur kontrollin e tij mbi Partinë Komuniste. Kompleksiteti i çuditshëm dhe brutaliteti i atij revolucioni, ishin të niveleve të frikshme.

Vendimi i Maos për të nisur “revolucionin” më 1 prill 1966, interpretohet sot gjerësisht si një përpjekje për të eliminuar armiqtë e tij, duke i nxitur njerëzit në parti të spastrojnë radhët e veta. Kur nisi mobilizimi masiv, gazetat e partisë e përshkruan atë si një luftë epokale, që do të injektonte një frymë të re në kauzën socialiste.

“Ashtu si dielli i kuq që ngrihet në lindje, Revolucioni Kulturor, po ndriçon tokën me rrezet e tij të shndritshme”- lexohej në një editorial. Në fakt, Revolucioni Kulturor e gjymtoi ekonominë, shkatërroi miliona jetë njerëzish, dhe e futi Kinën në një kaos 10 vjeçar trazirash, gjakderdhje, urie masive dhe stanjacioni ekonomik.

Bandat e studentëve dhe “Gardistët e Kuq”, sulmonin në rrugë njerëzit që mbanin veshur “rroba borgjeze”, dhe shkatërruan simbolet “imperialiste”. Ndërkohë intelektualët dhe zyrtarët e partisë u vranë, ose u detyruan të kryejnë vetëvrasje. Pasi dhuna ndoqi kursin e saj të përgjakshëm, sundimtarët e vendit pranuan më vonë se Revolucioni Kulturor ishte një katastrofë, që nuk solli gjë tjetër veçse shkatërrimet më të mëdha “të pësuara nga partia, vendi dhe populli, që nga themelimi i Republikës Popullore më 1949”.

Revolucioni Kulturor, ishte një ide e “Timonierit të Madh” të Kinës, Mao Ce Dun. Shtatëmbëdhjetë vjet pasi trupat e tij morën pushtetin, Mao e pa fushatën e tij të fundit politike si një mënyrë për të riforcuar revolucionin komunist, duke forcuar ideologjinë dhe zhdukur kundërshtarët. “Objektivi ynë, është të luftojmë dhe të shtypim burokratët, që po ndjekin rrugën kapitaliste…në mënyrë që të lehtësojnë konsolidimin dhe zhvillimin e sistemit socialist”- u shpreh ai në një direktivë të hershme.

Por Revolucioni, ishte ndërkohë një përpjekje nga diktatori i moshuar, autoriteti i të cilit ishte goditur rëndë nga uria e madhe e viteve 1950, për të rivendosur kontrollin mbi partinë duke zhdukur armiqtë, të vërtetë apo imagjinarë. “Ishte një betejë për pushtet, që u zhvillua nën maskën e një lëvizje masive fiktive”- shkruan studiuesi belg Pierr Rikmans në librin e tij “Revolucionit Kulturor, rrobat e reja të Kryetarit Mao”.

Më 1 prill 1966, Mao mblodhi bashkëpunëtorët më të ngushtë, para se cilëve ai paralajmëroi se partia ishte infektuar nga “revizionistët” kundra-revolucionarë, të cilët po komplotonin për të krijuar një “diktaturë të borgjezisë”. Gazeta zyrtare e partisë, i nxiti masat të “zhduknin zakonet e këqija të shoqërisë së vjetër”, duke nisur një sulm të gjithanshëm mbi “përbindëshat dhe demonët”.

Studentët kinezë u hodhën menjëherë në veprim, duke ngritur divizionet e Gardës së Kuqe në klasat dhe kampuset në të gjithë vendin. Duke nisur nga gushti i vitit 1966, vendi ishte përfshirë nga kaosi, ndërsa aleatët e Maos i kërkuan Gardistëve të Kuq të shkatërronin “Katër të Vjetrat” ​​- idetë e vjetra, zakonet e vjetra, traditat e vjetra dhe kulturën e vjetër.

Shkollat ​​dhe universitetet u mbyllën, ndërsa kishat, faltoret, bibliotekat, dyqanet dhe shtëpitë private u shkatërruan. Bandat e adoleshentëve në Gardën e Kuqe, u turrën rrugëve të qyteteve si Pekini dhe Shangai, duke sulmuar ata që ishin veshur me rroba “borgjeze” apo që i mbanin flokët me një “stil reaksionar”.

Ndërkohë zyrtarët e partisë, mësuesit dhe intelektualët u poshtëruan, u rrahën, dhe në disa raste u vranë ose u shtynë në vetëvrasje. Mao i urdhëroi personalisht forcat e sigurisë, të mos ndërhynin në punën e Gardistëve të Kuq. Gati 1.800 njerëz, humbën jetën në Pekin vetëm në muajt gusht-shtator 1966.

Pas shpërthimit fillestar të “terrorit të kuq” të udhëhequr nga studentët, kaosi u përhap me shpejtësi. Punëtorët iu bashkuan revolucionit, dhe Kina u zhyt në atë që historianët e përshkruajnë si një gjendje lufte civile virtuale, me fraksione rivale që luftonin nëpër qytete anembanë vendit.

Në fund të vitit 1968, Mao e kuptoi se revolucioni i tij kishte dalë jashtë kontrollit. Në një përpjekje për të frenuar dhunën, ai lëshoi ​​udhëzime për të dërguar miliona të rinj urbanë në fshat për “ri-edukim”. Ai e urdhëroi gjithashtu ushtrinë të rivendoste rendin, duke e transformuar Kinën në një diktaturë ushtarake, situatë që zgjati deri në vitin 1971.

Ndërsa ushtria po përpiqej të vendoste situatën nën kontroll, numri i të vdekurve u rrit. Nga viti 1971 dhe përfundimit zyrtar të Revolucionit Kulturor, dhe deri në vitin 1976, në vend u rikthye një farë “normaliteti’. Sa ishte numri i viktimave të asaj marrëzie? Historianët besojnë se diku midis 500.0000 -2 milionë njerëz humbën jetën.

Rajoni ndoshta më i prekur, ishte provinca jugore Guangxi, ku pati njoftime për masakra masive dhe madje edhe kanibalizëm. Akte të tmerrshme barbare, ndodhën gjithashtu në Mongolinë e Brendshme, ku autoritetet ndërmorën një fushatë të egër torturash kundër separatistëve të supozuar.

Rehat nuk patën as macet, të cilat u sulmuan rregullisht dhe u vranë nga Gardistët e Kuq, në përpjekje për të eliminuar ato që cilësoheshin si një simbol i “dekadencës borgjeze”. “Duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit në fund të gushtit 1966, njerëzit shihnin mijëra mace të ngordhura nëpër rrugë, me këmbët e para të lidhura”- kujton një vëzhgues perëndimor.

Jeta e disa prej figurave më të fuqishme të Partisë Komuniste ndryshoi rrënjësisht, duke përfshirë edhe udhëheqësin e ardhshëm Ten Hsiao Pin, që u linçua në vitin 1967 dhe Xi Zhongxun, babai i presidentit aktual të Kinës, Xi Jinping, i cili u poshtërua, rrah dhe u internua në një krahinë të largët. Edhe bashkëshorti i motrës së presidentit aktual kinez Xi, Xi Heping, thuhet se ka vrau veten pasi u persekutua.

Revolucioni Kulturor, përfundoi zyrtarisht kur Mao vdiq më 9 shtator 1976, në moshën 82 vjeçare. Në një përpjekje për të kritikuar “teprimet” e Revolucionit – dhe për të shmangur diskreditimin e tepërt të Maos – drejtuesit e partisë urdhëruan që e veja e kryetarit, Jiang Qing dhe një grup bashkëpunëtorësh, të gjykoheshin publikisht si përgjegjës për kaosin.

Ata njiheshin si “Banda e të Katërve”. Jiang i kundërshtoi akuzat, duke pretenduar se ajo ishte thjesht “bashkëshortja e Kryetarit Mao”, por u dënua me vdekje në vitin 1981, dënim që më vonë iu reduktua në burgim të përjetshëm. Gjithsesi në vitin 1991, në prag të 25-vjetorit të Revolucionit Kulturor, ajo u ekzekutua me varje në litar./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

8 gra dhe 8 burra: qeveria gjermane hap rrugën për barazi gjinore

Për herë të parë në 16 vjet, Gjermania do të drejtohet nga një burrë. Por megjithëse Angela Merkel po ia dorëzon kancelarinë një pasardhësi...

OBSH: Vaksinat duhet të funksionojnë kundër variantit Omicron

Vaksinat ekzistuese duhet të mbrojnë ende njerëzit që kontraktojnë variantin Omicron nga rastet e rënda të Covid, thotë një zyrtar i Organizatës Botërore të...

Fishekët e Yuri Kim, kapsolla deri më sot…

Nga: Eduard Zaloshnja Pasi Sekretari i Shtetit Blinken e shpalli Berishën persona non grata, Ambasadorja Yuri Kim, tek shkallët e ShQUP-it, u bëri thirrje anëtarëve/votuesve të PD-së...

Escobar me agjendë të qartë kundër korrupsionit, shmanget takimi me Metën

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vjen në Tiranë me një agjendë të qartë kundër korrupsionit të politikanëve shqiptarë. Ambasada e...

“Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”, Rama uron të rinjtë për 8 dhjetorin

Në ditën e Rinisë, kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku thotë se kjo datë i kushtohet vetëm të rinjve. “MIRËMËNGJES dhe me...