Zv.kryeministri italian, Matteo Salvini është shprehur se Turqia nuk duhet të jetë kurrë në Evropë.
Sipas tij, negociatat e Ankarasë për të hyrë në Bashkimin Evropian, duhet të ndërpriten një herë e mirë, ndërsa përmendi ekstremizmin islamik si “armikun publik numër një” të Evropës.
Salvini, në një konferencë për shtyp në Milano nënvizoi se mbrojtja e kufijve të jashtëm të kontinentit do të realizohet me anë të një aleance me udhëheqës të tjerë evropianë të partive të së djathtës së skajshme të tij.
Ndër të tjera, zv.kryeministri italian, synon ta krijojë aleancën para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, duke thënë se grupi që do të krijohet nuk ka ndërmend të humbë. “Synimi ynë është të fitojmë dhe ndryshojmë rregullat e Evropës”, tha ai.