Shqipëria po përballet me ditë të vështira, që prej fillimit të pandemisë COVID-19. Një tjetër pacient ndërroi jetë sot nga koronavirusi, duke e çuar bilancin negativ në 27 të vdekur.
Lidhur me këtë situatë, Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për një paketë ndihme makro-financiare, për të përballuar pandeminë e koronavirusit, nga e cila Shqipëria do të përfitojë 180 milionë euro.
Sakaq, Kosova do të përfitojë 100 milionë euro, po aq sa edhe Maqedonia e Veriut. Shteti i Ballkanit Perëndimor që do të marrë shumën më të madhe duket se është Bosnje-Hercegovina, 250 milionë euro. Ndërsa Malit të Zi i janë akorduar vetëm 60 milionë euro.
Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, sqaron se propozimi i KE për t’i dhënë Shqipërisë 180 milionë euro, do të jetë kredi në terma të favorshme.
Ambasadori thotë se ky fond do të jetë për të mbrojtur qytetarët, dhe për të minimizuar efektet negative në pasojat në ekonomi. “Ndihma e BE për Shqipërinë në kohën e COVID-19 shënon një tjetër hap të rëndësishëm. Në krye të ndihmës së mëparshme, KE propozon të ndahen 180 milion € në formë kredie me kushte shumë të favorshme në mbrojtjen e qytetarëve dhe zbutjen e pasojave negative socio-ekonomike”.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë konfirmuar 25 raste të reja të prekur me koronavirus nga 252 teste të kryera. Po kështu ka ndërruar jetë një pacient 71-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.