Zgjedhjet në universitet/ Shahini: Data u shty sipas propozimeve të studentëve

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar në lidhje me vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në universitet.

Përmes një postimi në Facebook, Shahini thotë se vendimi për shtyrjen e datës së mëparshme është marrë në bazë të propozimeve të studentëve. Ajo shton se vendimi është koordinuar edhe me zyrën e Presidentit të Republikës.

Shahini shprehet se deklaratat e PD-së janë absurde, teksa i fton ata të ndihmojnë në politikëbërjen arsimore.

Postimi i plotë:

Pa patur mundësi të votojnë studentët, natyrisht që nuk mund të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër universitete. Përderisa nuk kishim siguri se data e mëparshme mundësonte gjithëpërfshirjen e studentëve, u detyruam ta shtyjmë atë. Vendim ky, i ndërtuar mbi propozimet e vetë studentëve dhe i koordinuar me të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces, përfshirë edhe zyrën e Presidentit.
Në këtë kontekst, deklaratat e PD-së për “beteja” opozitare janë absurde. Në vend të sajimit të kauzave të paqena, do ndihmonte shumë politikëbërjen arsimore sikur energjitë opozitare të kanalizoheshin në kauza reale që do të përmirësonin cilësinë dhe menaxhimin në arsim.