Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha në një prononcim për mediat pas takimit me presidentin Meta, se fokusi i bisedimeve ishte për një datë të re zgjedhjesh, duke hedhur poshtë 30 qershorin.
Po kështu ai zbuloi se gjatë mbrëmjes, kreu i Shtetit, Ilir Meta, mund të dalë me një vendim për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh.
Siç duket, takimet e zhvilluara që në orët e para të ditës ndërmjet presidentit Ilir Meta me palët politike, do të konkludojnë me një dekret për një datë të re zgjedhjesh.
Shehi tha se zgjedhjet më 30 qershor ligjërisht nuk bëhen, dhe se caktimi i një date të re për zgjedhjet vendore do të ç’tensiononte situatën aktuale politike.
“Biseduam për situatën që siç e dini, po rëndohet. Presidenti ka një ide që zgjedhjet ligjërisht me 30 nuk bëhen, sepse kemi një dekret të presidentit. Besoj do dalë një dekret për një datë të re zgjedhjesh, besoj do jetë gjatë ditës në diskutim, për të ulur tensionin politik, për të mbërritur në një datë zgjedhjesh administrative para datës së negociatave të tetorit.
Ky është diskutimi bazë, ne po shkojmë të takojmë aleatët të tjerë, dhe nga darka do dalë një konkluzion i përbashkët. Pra mendimin tonë do e nxjerrim unik me PD dhe aleatët e tjerë”, tha Shehi.