Rrëzimi i qeverisë së kryeministrit bullgar Kiril Petkov, të mërkurën në mbrëmje, duket se rrëzoi dhe shpresat e vakëta të zgjuara gjatë ditës së sotme, për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit. Opozita bullgare u deklarua në mbështetje të heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar qeverisë që të thërriste parlamentin për të marrë një vendim sipas propozimit francez, i cili i ofron garanci Sofjes për trajtimin në vijim të problemeve dypalëshe me Shkupin.
Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisionari për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.
Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”.
Kreu i opozitës, ish kryeministri Boyko Borissov, përsëriti përmes një statusi në Twitter pasdite se mbështet propozimin francez për çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe se partia e tij, GERB “do ta mbështesë këtë vendim nëse votohet. Të gjithë ata që janë të përfshirë, duhet të shohin pamjen e madhe – duke mbrojtur ekonominë dhe sigurinë tonë përmes zgjerimit. Uniteti ka rëndësi. Një BE e fortë ka rëndësi. Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë”, shkroi ai, pak orë para votimit në parlament të votëbesimit të qeverisë, pasi një prej partive anëtare të koalicionit u largua prej saj.
Kryeministri Petkov, nuk arriti të sigurojë mbështetje. Ishin 123 deputetë nga 240 që e përbëjnë parlamentin, të cilët votuan për rrëzimin e qeverisë. Kriza e hapur politike, nuk lë thuajse fare shpresa për një kthesë të Bullgarisë lidhur me veton ndaj Shkupit, nesër në mbledhjen e Këshillit evropian në Bruksel. Vetëm nëse parlamenti e trajton nesër jashtë rendit të ditës këtë çështje, pas kërkesës së opozitës.
Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me drejtuesit e vendeve të Bashkimit Europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.
Shqipëria është peng i dyfishtë i situatës mes Sofjes dhe Shkupit, duke qenë se vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me të, është trajtuar i lidhur me vendimin për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se nëse nuk do të ketë një vendim pozitiv edhe këtë herë, ai do të kërkojë që rrugëtimi i Shqipërisë të ndahet nga ai i fqinjit të saj ballkanik. /VOA