Mediat Italiane, kanë zbardhur orët e fundit përgjimet telefonike që autoritetet policore italiane kanë bërë në telefonin e 36-vjeçares Elona Kalesha, ish e fejuara e Taulant Pashos, djalit të Shpëtim e Teuta Pashos, trupat e të cilëve u gjetën të masakruar në katër valixhe pesë vite pas zhdukjes së tyre më 2 nëntor 2015.
Një ditë pas gjetjes së valixhes së katërt me pjesët e copëtuara të trupave të çiftit shqiptar, Elona Kalesha rreth orës 20.00 të mbrëmjes telefonohet nga Gaia, e fejuara e vëllait të saj, e cila e pyet se kush është personi i dyshuar për këtë vrasje.
“Shumë veta po më shkruajnë, thotë Elona, por dihet që është ai, djali i tyre i ka vrarë, Taulanti. E di dhe vëllai i Shpëtimit këtë gjë. Ai gjithmonë thoshte që Taulanti i ka vrarë, Taulanti as nuk i kërkonte prindërit e tij… si është e mundur të mos i kërkosh prindërit e zhdukur.. Ai ka qënë përherë një person i dhunshëm me prindërit i tërhiqte zvarrë me motorr”, thotë Elona Kalesha në bisedën me kunatën e saj Gaia.
Por, nga ana tjetër motrat Pasho akuzojnë Elonën si autore të krimit ndaj prindërve. Dorina Pasho në një bisedë telefonike me një mikeshën e saj shqiptare thotë: “Unë jam e bindur e do them që e ka bërë Elona, jo vëllai im”.
Elona Kalesha, mbetet deri më tani e akuzuara e vetme për vrasje të dyfishtë, dhunim të trupave të viktimave si dhe fshehjen e tyre.
Ekspertiza mjeko ligjore ka konfirmuar zyrtarisht se një pjesë e trupave të copëtuar e të gjetura në katër valixhe të hedhura në autostradën Firenze-Piza, janë të Shpëtim e Teuta Pasho. Raporti mjeko ligjor, erdhi pas krahasimit të analizave të trupave me ato të dy vajzave të tyre Dorina e Viktoria.