Ministri i Brendshëm, ende në detyrë, Fatmir Xhafaj ndodhet në një konferencë për mediat në Ministrinë e Brendshme.
“Ju faleminderit që jeni sot të pranishëm në këtë takim të fundit me mua, në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Sikurse jeni informuar, Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen time nga detyra e ministrit të Brendshëm. Takimi me ju sot, nuk është ndjekja e një rutine sjelljeje të krijuar në raste të tilla. Jam këtu përpara jush për t’ju përshëndetur, e më shumë akoma për t’ju falënderuar dhe për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë e të sinqertë për të gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar ndaj meje në këtë periudhë që unë kam qenë në drejtimin e Ministrisë së Brendshme….”.
Kështu e nis fjalën e lamtumirës Fatmir Xhafaj nga posti i ministrit të Brendshëm. Gjatë takimit përshëndetës me drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë të Shtetit, Xhafaj falënderoi të gjithë për bashkëpunimin.
Teksa analizoi punën e tij në Ministrinë e Brendshme Xhafaj tha se tashmë falë punës së këtij institucioni dhe Policisë së Shtetit, Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve Europiane ku kanabisi është fenomen.
Xhafaj hoqi dorë nga posti i ministrit më 27 tetor, ndërsa lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama. Fatmir Xhafaj u emërua në detyrën e Ministrit të Brendshëm në mars 2017, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i akuzuar nga opozita për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve. Në maj 2017, pas paktit të 17 majit Rama-Basha në vend të Xhafajt u emërua ministri teknik Dritan Demiraj, por pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PS, Xhafaj u rikthye në kabinetin “Rama 2”. Xhafaj është njeriu që drejtoi reformën në drejtësi, i mbështetur maksimalisht nga ndërkombëtarët që nxisin këtë reformë.
FJALA E PLOTE
Ju faleminderit që jeni sot të pranishëm në këtë takim të fundit me mua, në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Sikurse jeni informuar, Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen time nga detyra e ministrit të Brendshëm.
Takimi me ju sot, nuk është ndjekja e një rutine sjelljeje të krijuar në raste të tilla. Jam këtu përpara jush për t’ju përshëndetur, e më shumë akoma për t’ju falënderuar dhe për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë e të sinqertë për të gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar ndaj meje në këtë periudhë që unë kam qenë në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
Sot, jam krenar se në këto muaj, në krye të një ekipi shumë profesional, me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të përzgjedhur me shumë kujdes e përgjegjësi prej meje, kemi mundur të bëjmë disa suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend. Dua ta them që në krye të herës se vlerësimet e larta të qytetarëve, por edhe ato të partnerëve tanë ndërkombëtarë, janë konfirmimi më i mirë i suksesit të arritur në këtë periudhë.
Dëshiroj të vlerësoj dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për qindra mesazhe vlerësuese që kam marrë këto ditë nga qytetarë anë e mbanë vendit, nga punonjës Policie të të gjitha niveleve dhe miq të ndryshëm, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mesazhe të cilat më së shumti ju takojnë juve dhe punonjësve të Policisë pa asnjë përjashtim. Është plotësisht meritë e punës dhe e angazhimit tuaj, tejet serioz dhe profesional, që gjendja e kriminalitetit sot në vend është ndër më të ulëtat në këto 20 vite dhe standardi i sigurisë publike është ndër më të lartit. Statistikat zyrtare për vitin 2017 dhe 9-mujorin e parë të këtij viti konfirmojnë për sa më sipër. Dhe në disa tregues ato janë të krahasueshme me standardet më të mira evropiane.
Numri i veprave penale dhe në tërësi treguesit e nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, por dhe gjatë këtij 9-mujori janë në nivelet më të ulëta historike. Përfshi këtu edhe numrin e vrasjeve, vjedhjeve, aksidenteve, etj. Në një dallim të madh nga e shkuara e afërt dhe e largët për vepra të rënda penale, si vrasje apo grabitje, jo vetëm janë zbuluar në kohë autorët e tyre, por çfarë është më e rëndësishme është bërë ndalimi dhe/ose arrestimi i tyre. Jam krenar kur shoh në rrugë të mbarë dhe të konkretizuara me rezultate shumë të prekshme një sërë prioritetesh të rëndësishme, të cilat ua premtuam qytetarëve shqiptarë në fillim të mandatit të kësaj qeverie.
- Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit – ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht.
Në 27 mars të vitit të kaluar në këtë sallë deklaruam një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni kriminal, të zhvilluar prej 25 vitesh në këtë vend. Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit e shoqërisë ta fitonin betejën me të.
Nuk ka qenë një sfidë e thjeshtë lufta kundër tij, por kemi patur gjithë vullnetin dhe aftësinë organizuese që t’i jepnim fund një herë e mirë një prej fenomeneve më kriminale në këtë vend. Dhe e theksoj pa asnjë mbështetje shtesë në burime njerëzore, logjistike e financiare.
Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.
Ky sukses i jashtëzakonshëm është plotësisht tregues i seriozitetit dhe profesionalizmit të treguar nga ana juaj. Është tregues i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve dhe angazhimeve tona ndërkombëtare.
Ju faleminderit të gjithëve e veçanërisht punonjësve të policisë të rolit bazë, që kanë vigjiluar në terren me një angazhim të veçantë!
- Menaxhimi më i mirë kufijve, me objektiv kryesor frenimin e fenomenit të azil kërkimit dhe migracionit ilegal ishte një tjetër prioritet i rëndësishëm dhe i konsideruar i suksesshëm për ne në këtë vit të parë të këtij mandati.
Është rasti të sjell në kujtesë faktin se, në korrik të vitit të kaluar para marrjes së detyrës prej meje si ministër, vendi ishte nën presionin e shprehur të kthimit të regjimit të vizave për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të azilantëve në: Francë, Holandë, Belgjikë, etj. Kjo u shndërrua në një prioritet kyç të punës sonë edhe në kuadrin e plotësimit të kushteve të procesit të integrimit, por edhe si një test i rëndësishëm ndërkombëtar. Me një punë të mirë organizuar, ne mundëm që brenda 12 muajve t’i kthejmë shifrat e azil kërkimit nga një histori dështimi në një histori suksesi. Një histori suksesi që nga vetë Franca skeptike deri para pak kohësh, sot kjo histori suksesi po kërkohet të prezantohet si një model në Evropë.
Ndërkohë që kemi qenë tërësisht të angazhuar gjithashtu në një menaxhim aktiv të kufijve për një kontroll shumë më të mirë të flukseve në rritje të migracionit ilegal të 5-fishuar në këto 10 muaj krahasuar me një vit më parë, një shifër jo lehtë e përballueshme për kushtet e vendit tonë dhe e menaxhuar më së miri nga policia jonë e kufirit, gjithashtu pa asnjë shtesë burimesh njerëzore e financiare.
Faleminderit strukturave të Kufirit dhe drejtuesve të tyre për punën e mrekullueshme në këtë aspekt!
- Lufta kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit” padyshim që ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kyç.
Rreth 12 muaj më parë qeveria miratoi Planin Kombëtar për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe ne filluam së bashku një projekt shumë të dashur për mua, Operacionin e emërtuar “Forca e ligjit”, një projekt të cilit i kemi kushtuar së bashku gjithë energjitë dhe aftësitë tona menaxheriale dhe operacionale.
Operacioni “Forca e Ligjit” është tashmë një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftën kundër krimit të organizuar. Një projekt ambicioz, i mirë menduar dhe mirë organizuar, i vlerësuar e mbështetur gjerësisht edhe për këtë shkak edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, gjë që e kanë konfirmuar në disa qëndrime publike edhe këtu në Tiranë.
Në vetëm 11 muaj ngritëm strukturat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe bashkëveprimit operacional, TFSQ e TFSR me policët më të përzgjedhur nga radhët e Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të agjencive kryesore ligj zbatuese në vend.
Struktura këto që me një punë të jashtëzakonshme intensive e profesionale në kohë rekord arritën të identifikojnë, të skedojnë, të skanojnë e ndërtojnë për herë të parë, në një data baze solide, profilet e detajuara të të gjithë grupeve kriminale aktive në vend dhe në veprim jashtë territorit, si pjesë e krimit të organizuar ndërkombëtar. Një skedar i ndërtuar mbi standarde ndërkombëtare që pothuajse i mungonte tërësisht Policisë shqiptare.
Në saj të këtij operacioni janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sot mund të flasim për rezultate konkrete. Në afro 11 muaj janë zhvilluar rreth 22 operacione policore, janë goditur dhë ndëshkuar 11 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga TFSQ, me mbi 175 persona të arrestuar drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe janë sekuestruar vetëm prej tyre rreth 20 milionë euro pasuri. Disa procese hetimore janë në fazën e finalizimit të tyre dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë rezultate të tjera në kuadrin e këtij operacioni.
Sot, krimi i organizuar në veçanti, por edhe krimi në përgjithësi nuk ndihet më i qetë. Anëtarët e këtyre organizatave e kanë parë dhe e kanë kuptuar shumë mirë, që sot për ta nuk ka asnjë lloj imuniteti në përballjen me ligjin.
Përfaqësues të grupeve kriminale që deri dje emrin e tyre nuk guxonte kush t’i përmendte dhe jo më të mendonte për t’i vendosur në bankën e të akuzuarave nga drejtësia, sot gjenden në qeli, ndërsa ata që janë jashtë po e shohin çdo ditë që rrethi po ju ngushtohet, se nuk e kanë më lirinë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre kriminale.
Qytetarët e kanë parë që dita-ditës, bota e krimit dhe shteti, gjithnjë e më shumë, po gjenden në anë të kundërt të barrikadës. Ky është një fakt shumë i qartë tashmë. Njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, kanë parë me simpati të madhe çfarë Policia e Shtetit ka bërë në këto muajt e fundit. Ata anëtarë të botës së krimit që deri dje ndiheshin si zot shtëpie në rrugët e qyteteve tona dhe sfidonin hapur shtetin në jo pak raste, sot kanë kuptuar se ka marë fund koha kur ata mundet ta sfidonin atë, apo më keq akoma të ishin në ndonjë rast në një anë me përfaqësues të shtetit.
Pikërisht me këtë synim madhor, kemi mbi 1 muaj që kemi nisur një tjetër operacion të rëndësishëm në territor, operacionin policor “Ndëshkimi i ‘të fortëve”.
Krahas hetimit penal dhe pasuror të grupeve kriminale, paralel me të, kemi nisur ndëshkimin në territor të individëve me precedent penalë, të të kërkuarve nga ligji dhe ndëshkimin e atyre që deri dje konsideroheshin si të fortët e zonës, të lagjes apo të qytetit. Shkurt për t’ia nxirë jetën me forcën e ligjit kujtdo që guxon të sfidoj autoritetin e shtetit, autoritetin e policisë dhe forcën që atyre u jep ligji.
Në 5 javë që ka filluar intensivisht ky operacion policor pro-aktiv në territor janë ushtruar dhjetëra kontrolle ndaj personave konkret me precedent penal, në kërkim apo ndaj atyre që bëjnë të fortin në mjediset sociale, të skeduar si të tillë nga policia vendore. Dhe rezultatet flasin vet për ata që kanë sy të shohin e vesh të dëgjojnë. Janë ndaluar e arrestuar aty në territorin ku jetojnë rreth 350 persona nga të cilët rreth 190 persona janë ndër ata të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Gjithashtu janë kapur gjatë këtyre kontrolleve armë e qindra fishekë pa leje, lëndë narkotike, vlera monetare të pajustifikuara, automjete në përdorim të vlerave të larta një pjesë edhe të blinduara, etj.
Policia e Shtetit është duke i treguar kujtdo keqbërësi të këtij vendi se ka vetëm një autoritet, i cili nuk mundet të sfidohet nga askush. Ky është autoriteti i shtetit, Forca e Ligjit.
Ju faleminderit të gjithëve, drejtuesve të policisë në qendër dhe në nivel vendor për çfarë keni bërë në këta muaj, në këtë fushë! Një falenderim special drejtuesve të policisë kriminale, drejtuesve dhe punonjësve të policisë që shërbejnë si pjesë e Task Forcave Speciale në qendër dhe në qarqe, forcave operacionale, FNSH dhe Repartit “RENEA” që kanë kontribuar në disa operacione me risk!
4. Reforma e filluar për një marrëdhënie të re me qytetarët, përmes Policimit në Komunitet – ka qenë një tjetër prioritet i rëndësishëm i angazhimit tonë.
Shqipëria është sot një vend ku çdo ditë e më shumë qytetari po e shikon punonjësin e policisë si të besuarin e tij, si garantuesin e jetës dhe të pasurisë së tij.
Në këto vite, ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme, shpesh të vështira dhe rrënjësore, të cilat kanë për qëllim përsosjen profesionale të trupës së Policisë, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme krijimit të kushteve sa më të mira të ndërveprimit të bashkësisë së qytetarëve me të.
Projekti ynë i ‘Policimit në Komunitet’ ka synuar ta thellojë dhe të konsolidojë atë kredibilitet të pamohueshëm që ka arritur ajo në sytë e qytetarëve.
5. Kemi mundur që të konsolidojmë një bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar me agjencitë ligj zbatuese më të njohura ndërkombëtare të shprehura në një marrëdhënie besimi si kurrë ndonjëherë më parë.
Bashkëpunimi, realisht si asnjëherë tjetër i Policisë së Shtetit me partnerët tanë ndërkombëtarë, është një fakt i pamohueshëm dhe fort qartë i bërë edhe publik, jo nga ana ime, as nga ana e Policisë së Shtetit. Në një kohë shumë të shkurtër krijuam një raport pune sikurse organizatat europiane ndërmjet njëra-tjetrës. Më besoni kjo nuk ka qenë një gjë e lehtë. Të rifitoje besimin e partnerëve, pas asaj goditje që Policia e Shtetit kishte marrë në fenomenin e kanabizimit, ka qenë një sipërmarrje që ka në themel investimin, me ndershmërinë tonë në radhë të parë, me sinqeritetin në bashkëpunim, me profesionalizmin tonë, si dhe me përkushtimin që tregonim dita-ditës, jo vetëm për t’u ndarë sa më shpejtë nga kjo histori, por edhe duke treguar që ishim në pozitën për të bërë detyrën ashtu si ajo duhet bërë.
Për fat të keq llumi që opozita ka të vendosur në sytë e saj e ka penguar të shohë dhe të kuptojë, (edhe pse jam i sigurt që e di shumë mirë këtë) se mbështetja pa hezitim që partnerët tanë ndërkombëtarë në nivelin më të lartë të mundshëm politik dhe policor më kanë dhënë mua si ministër i Brendshëm dhe Policisë së Shtetit, lidhet vetëm me faktin se ne jemi 100 % të besueshëm për ta. Jemi të besueshëm në atë që jemi, jemi të besueshëm në atë që themi dhe më shumë akoma, në atë që bëjmë.
Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe askush prej tyre nuk e ndërton mbështetjen për ne këtu, bazuar në skema apo pragmatizma ballkanik.
Partnerët tanë kanë parë me vepra, në mënyrë të përditshme dhe të qartë profilin e policisë që ne po ndërtojmë çdo ditë, me shumë këmbëngulje.
Policia shqiptare është për ta sot një partner jo vetëm i besueshëm, por edhe një partner serioz dhe profesional në angazhime të përbashkëta në luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar.
Prej kohësh me disa agjenci të rëndësishme ndërkombëtare, si: FBI, DEA, EUROPOL, BKA gjermane, NCA britanike, GdF italiane, por edhe me disa të tjera, ne kemi zhvilluar dhe jemi duke zhvilluar bashkërisht operacione të rëndësishme, deri edhe hetime të përbashkëta për të goditur grupe të organizuara kriminale këtu, por edhe jashtë vendit.
Rezultatet e këtyre operacioneve janë në disa raste spektakolare dhe shumë të vlerësuara prej tyre. Shembulli më i mirë është vlerësimi i dy operacioneve të bëra nga SELEC, të cilat u vlerësuan ndër më të suksesshmit në rajon.
6. Reformimi i strukturave të policisë i shoqëruar me një afirmim të dukshëm të integritetit të ekipit të ri drejtues në Policinë e Shtetit – ka qenë prioriteti tjetër i rëndësishëm në fokusin e angazhimit tonë.
Kam qenë dhe mbetem i bindur se vetëm institucione të forta, me ekipe të motivuara dhe me një menaxhim efikas mund t’ju bëjnë ballë sfidave të tilla.
Në një periudhë shumë të shkurtër jemi përpjekur dhe ja kemi dalë që të rikthejmë besimin edhe brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Vlerësimi mbi bazë të meritës dhe të aftësive profesionale ka përbërë boshtin e zhvillimit të karrierës në Policinë e Shtetit në këtë periudhë. E kemi bërë këtë më së pari me ekipet drejtuese kryesore për të zbritur gradualisht më poshtë në bazë.
Vetting-u, megjithëse i vonuar në kohë për arsye subjektive, është e vetmja rrugë që shumica dërrmuese e kësaj trupe të çmuar, e cila ka shkëlqyer me cilësitë dhe meritat e jashtëzakonshme, të ndahet me vendosmëri nga ata që me veprimet e tyre të paligjshme e kanë njollosur uniformën, veprimtarinë dhe misionin e policisë; nga ata që e përbaltën policinë, e braktisën dhe iu vetë-dorëzuan ilegalitetit dhe krimit. Këta janë ata që sot sulmojnë Policinë, me zë e me vepra, që u japin oksigjen grupeve kriminale, duke shërbyer në jo pak raste edhe si avokatë, menaxherë apo truproja të tyre.
Ngritja e një trupe policie me elementë që përmbushin standardet profesionale, me integritet njerëzor dhe të paprekur nga dukuritë kriminale, është përpjekja jonë kyçe për të rritur më tej frymën pozitive brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
Vetëm një organizatë policie e qëndrueshme përballë fenomeneve negative si: paaftësia, korrupsioni apo lidhjeve të mirëfillta me krimin, përbën një garanci për të sotmen dhe të ardhmen e rendit, qetësisë dhe sigurisë në vend.
Jam realist dhe e di shumë mirë se Policia e Shtetit është akoma shumë larg standardit të organizatave të veta simotra në Evropën e zhvilluar. Por ka një gjë që duhet të pranojmë të gjithë. Gjithnjë e më shumë Policia e Shtetit po bëhet më profesionale.
Profesionalizmi i treguar nga Policia e Shtetit në kryerjen e misionit të saj dhe rezultatet e arritura, kanë bërë që besimi i qytetarëve kundrejt saj të rritet dukshëm në këtë periudhë.
Sondazhet më të fundit të kryera tregojnë një fakt shumë të rëndësishëm e domethënës, rreth 63 % e qytetarëve kanë besim tek policia dhe e vlerësojnë me nota pozitive punën e saj.
Nuk është e paditur kur them se lufta për një shoqëri më të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarit nuk është një sipërmarrje njerëzore e thjeshtë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve kërkon angazhim, përditshmëri, përkushtim, kosto ekonomike, por më së pari kërkon sakrifica njerëzore. Ndaj ne duhet t’ju jemi mirënjohës, të vlerësojmë dhe të respektojmë të gjithë ata që janë pjesë e strukturave që ballafaqohen çdo ditë me krimin.
Ne kemi qenë dhe mbetemi të ndërgjegjshëm se lufta që kemi nisur kundër grupeve të ndryshme kriminale, do të prodhojë kundër-reagim të fortë të këtyre të fundit. Së bashku në analizat tona kemi konkluduar se e prisnim këtë dhe kemi qenë të përgatitur. Çdo ditë shohim dëshmi konkrete të këtij kundër-reagimi kriminal. E kemi ndjerë edhe drejtpërdrejt.
Eksperiencat e vendeve të ndryshme evropiane ose më gjerë na tregojnë se aq herë sa shteti godet krimin, pothuajse aq herë edhe ai kundër- reagon në forma dhe metoda të ndryshme. Sa më fortë shteti e godet krimin, thuajse po me forcë edhe krimi kërkon të kundërpërgjigjet e të reagojë. Ky është një fenomen që është i pritshëm.
Por ajo që e dallon eksperiencën e këtyre vendeve me situatën në vendin tonë është se këtu çuditërisht sa herë që Policia e Shtetit godet krimin, një pjesë e opozitës, jo vetëm që nuk gjen as formalisht fjalë për të mbështetur punë e policisë dhe për ta inkurajuar atë, por komenton negativisht aksionet e policisë dhe i përgojon ato. Kjo është komplet papërgjeshmëri politike, por edhe qytetare.
Jam i vetdijshëm se Policia e Shtetit gjendet sot nën një sulm dhe përbaltje sistematike të orkestruar nga segmente të politikës dhe një pjese të medias, disa prej të cilave për fat të keq edhe nën influencën e grupeve kriminale, të cilat me sa duket ndjejnë ngushtimin e lakut dhe afrimin e përballjes me drejtësinë dhe po ushtrojnë trysni të gjithanshme.
Sa më shumë rritet forca goditëse e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese, po aq rritet edhe agresiviteti i këtyre segmenteve, fundi i të cilëve është i pashmangshëm.
Është e rëndësishme që për të patur sukses në këtë luftë duhet të gjithë ti japim mbështetjen e plotë dhe pa rezerva strukturave të Policisë së Shtetit të angazhuar në këtë luftë. Pjesa e shëndoshë e shoqërisë duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe të kuptoj se çdo sulm kundër Policisë së Shtetit është oksigjen për krimin.
Mbështetja e punës dhe sakrificave të Policisë së Shtetit është përgjegjshmëri ndaj vendit, është detyrim atdhetar.
Të nderuar bashkëpunëtorë të mi,
i rendita disa nga prioritetet që kanë marrë angazhimin tonë dhe sukseset e deritanishme, për të treguar që së bashku me besimin dhe mbështetjen tek njëri-tjetri kemi arritur shumë rezultate sinjifikative. Përtej sfidave dhe vështirësive të superuara së bashku, me vjen mirë të them që projektet e ideuara me aq pasion, të jenë vënë në zbatim dhe të kenë pasur suksese. Gjithsesi i rëndësishëm ngelet fakti se rruga ku kemi filluar të ecim është pa kthim mbrapa, prandaj duhet të vazhdoni të ecni edhe më fortë edhe më të vendosur në të.
Vazhdoj të besoj fort se një qeverisje është e mirë, e suksesshme, e qëndrueshme dhe në shërbim të interesit të qytetarëve vetëm kur mbështetet fort në institucione të konsoliduara që veprojnë në ligjshmëri të plotë, në respekt të kushtetutës e ligjit. Ndaj kemi punuar fort së bashku me ju për ta mbajtur në principe të tilla jetike funksionimin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA.
Jam krenarë që së bashku, duke punuar si një ekip, me moton “Në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarit” ja kemi dalë me sukses të shohim dhe ecim përpara, të dëshmojmë vullnet, vendosmëri dhe rezultate konkrete.
Për të pasur këtë performancë, këto rezultate, është dashur shumë punë dhe vetëm punë, kohë pune pa orar e me plot përkushtim, seriozitet e përgjegjshmëri, por edhe jo pak sakrifica për t’u përballur me lloj sulmesh e presionesh që kanë provuar dhe vazhdojnë të tentojnë të na ç’fokusojnë nga prioritetet tona, të na demotivojnë dhe të na zmbrapsin.
Gjithçka është para së gjithash meritë e punës dhe sakrificës tuaj, bashkëpunëtorëve të mi në Ministri e Polici dhe veçanërisht burrave e grave, djemve dhe vajzave që shërbejnë me përkushtim në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe drejtuesve të tyre të palodhur.
Ju faleminderit nga zemra!
Jam plotësisht i bindur se me më shumë mirënjohje e vlerësim ndaj sakrificave tuaja, me më shumë mbështetje dhe solidaritet politik e institucional, me më shumë ndërveprim e angazhim edhe nga pjesë të tjera të shtetit, që kanë përgjegjësi ligjore në këtë fushë dhe kryesorja, nëse do të mund të kishim pasur më shumë mbështetje me burime njerëzore, teknike e financiare, rezultatet do të ishin shumë më domethënëse.
Parandalimi dhe lufta ndaj krimit nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm çështje policore dhe se jo çdo gjë e për çdo gjë zgjidhja e vetme është Policia.
Po largohem nga kjo detyrë, rrjedhojë e një vendimi të pa imponuar nga ndonjë rrethanë objektive, apo subjektive, por si një vendim i marrë besoj në kohën e duhur, pasi përmbusha, besoj, më së miri objektivat kryesore që i vura vetes në ditën kur vendosa ta pranoja dhe ri-pranoja këtë sfidë.
Objektiva dhe rezultate të përmbushura, për hir të së vërtetës me shumë sakrifica, për mua dhe familjen time, që në mënyrë të pamerituar është përballur dhe përbaltur nga sulme të egra të orkestruara nga opozita gjatë gjithë kësaj periudhe. Ndjehem mirë që në përballimin e kësaj situate specifike kam pasur mbështetjen e Kryeministrit, të kolegëve të grupit parlamentar dhe padyshim të bashkëpunëtorëve të mi të afërt.
Ndjej keqardhje, për atë pjesë të politikës Shqiptare, e cila në debatin për mua si person, apo në diskutimet mbi Policinë e Shtetit, është sjellë, pak të thuash diletante dhe e papërgjeshme. Në jo pak raste edhe jo humane. Në një kohë që do të duhej që politika të sillej ndryshe, që edhe atëherë kur ka vend për të thënë diçka, ka disa mënyra për ta thënë atë pa dëmtuar interesat e qytetarëve.
Por, natyra dhe edukimi im familjar, eksperienca ime politike dhe ajo jetësore më ka bërë që deri në fund të qëndroj në respekt të ligjit dhe të jem sa më institucional dhe i përgjegjshëm në gjithë konfliktin politik, që opozita krijoi me mua dhe për mua. Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit.
Kam qënë shumë i bindur se angazhimi im thelbësor për Reformën në Drejtësi, si dhe angazhimi impenjativ në fushën e rendit dhe sigurisë publike e specifikisht në luftën kundër krimit të organizuar ishte më së pari në kundërshtim me interesat e botës së krimit dhe njerëzve në keqpërdorim apo abuzim të pushtetit. Ndaj e kam pritur një kundër reagim të tillë nga të gjitha krahët.
Përballë këtij realiteti jam përpjekur të sillem si shtetar serioz edhe pse përpara kisha llumin e politikës.
Përvoja relativisht e gjatë në politikë më ka mësuar se nuk është e rëndësishme të jesh një nga ministrat, por rëndësi ka ajo çfarë bën si i tillë, gjurmët që lë, mënyrën se si e përdorë pushtetin dhe si i shërben kauzës për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe vetëm në interes të shoqërisë. Nuk ka rëndësi se sa kohë rri ulur në një karrige pushteti, po se çfarë bën e se si sillesh me të, nuk ka rëndësi se çfarë funksioni publik mban, por se si e ushtron atë, kush je dhe sa vlen, çfarë përfaqëson në raport me ligjin dhe interesat e qytetarëve.
Ka njerëz që e quajnë të rëndësishme uljen në një karrige pushteti dhe qenien pjesë e administrimit të tij si forcë mbi të tjerët dhe një pjesë e tyre jo e vogël e shohin pushtetin edhe si mundësia e artë për pasuri e përfitime personale.
Ka të tjerë, për fat të keq, ende jo aq shumë, që e shohin pushtetin, postin e karrigen ku ulen si shërbim, si mision për të bërë gjëra të dobishme për shoqërinë, për të lënë gjurmën e tyre.
Të shërbej, të lë gjurmë me rezultate konkrete, ky ka qenë i vetmi qëllim imi në këtë funksion. Shpresoj t’ia kem arritur. Koha do ta provojë për mua në radhë të parë, por edhe për ata që mund të më kenë paragjykuar, apo edhe për ata që fort janë përpjekur e kanë dëshiruar për të më penguar në këtë mision.
Kam vendosur të shkëputem nga pesha e përditshme e përgjegjësive ekzekutive për t’ju përkushtuar rolit të respektuar të ligjvënësit duke ju bashkuar angazhimit të kolegëve të mi për implementimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e institucioneve drejtuese të sistemit dhe veçanërisht përshpejtimit të procesit për ngritjen e BKH dhe SPAK.
Ju jam pafundësisht mirënjohës njerëzve të mi më të dashur për faktin se më qëndruan pranë në këtë periudhë dhe më mbështetën fuqimisht që të vazhdoja në rrugën e nisur.
Duke ju falenderuar edhe njëherë, për gjithçka ju dhe gjithë kolegët tuaj keni bërë në shërbim të qytetarëve dhe vendit, ju inkurajoj të vazhdoni të bëni të njëjtën gjë me po kaq përkushtim edhe në të ardhmen. Puna dhe rezultatet tuaja janë shumë domethënëse për të ardhmen evropiane të vendit.
Unë do të vijoj palëkundur të jem një mbështetës i sfidave të Ministrisë së Brendshme dhe veçanërisht të Policisë së Shtetit edhe nga pozicioni i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjej rastin t’i uroj pasardhësit tim, ministrit të ri të Brendshëm shumë sukses në detyrën që shumë shpejt do të marrë, duke qenë i bindur se me eksperiencën dhe formimin që posedon, ai do t’ju qëndrojë, mbrojë dhe promovojë më tej vlerat e Policisë së Shtetit. Ai është tashmë në bordin e një treni të nisur, tren i cili uroj të eci edhe me më shumë shpejtësi.
Në mbyllje, dëshiroj të them se ishte privilegj që kam punuar me ju dhe shumë të tjerë që nuk janë sot këtu në këtë sallë: njerëz kurajozë dhe të sakrificës, të vendosur dhe njerëzorë, përfaqësues të denjë të shoqërisë dhe në shërbim të saj, kudo dhe kurdo e ka kërkuar nevoja.
Vazhdoni ta bëni këtë gjë edhe më me shumë përkushtim. Shërbejini komunitetit ku jeni caktuar, luftoni pa kompromis krimin dhe paligjshmërinë, vendosni qytetarët, familjet, fëmijët e tyre të parët. Dhe të jeni të bindur që respekti dhe mirënjohja e tyre nuk ka për t’ju munguar kurrë. Ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëni vendit dhe të ardhmes së përbashkët.
Më keni bërë të ndihem shumë krenar.
Ju faleminderit të gjithëve!
Respekt dhe mirënjohje për punën dhe sakrificat tuaja!