Në konferencën e zhvilluar në kuadër të “Open Balkan”, presidenti Aleksandar Vuçiç, iu bëri thirrje shqiptarëve që të konsiderojnë Serbinë si shtëpinë e tyre të dytë. Vuçiç u shpreh se njerëzit janë duke aluduar se është duke kërkuar krijimin e Serbisë së Madhe me këtë projekt, megjithatë sipas tij, ka ardhur koha të lihen pas këto ide të së shkuarës.
“Ne duam që nga këto arritje, qytetarët të shikojnë përfitime. Kur erdha në Shqipëri, pashë që kryeministrit Rama iu kundërvunë për iniciativë, apo për ata që thonë se “Ballkani i Hapur” ka të bëjë me Serbi të Madhe apo Shqipëri të Madhe. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë prej tyre.
Ne sot duhet të përqendrohemi tek e ardhmja, dhe për faktin se si mund të jetojnë më mirë vendet tona. Ne duam të shikojmë më shumë turistë në Novi Sad, nga Tirana apo Shkupi, sigurisht edhe nga vende të tjera. Duke ardhur sot në Tiranë, dëshiroj të shpreh respektin tim për qytetarët e Shqipërisë, dua që Serbinë ta shihni si shtëpinë e dytë. Edhe ne duam të ndjehemi kështu kur të vijmë në Shqipëri”, tha Vuçiç.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan këtë të martë 5 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre, në kuadër të samitit “Open Balkan”.
Marrëveshjet e nënshkruara:
1-Marrëveshje për qasjen e lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.
2-Marrëveshje për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor
3-Marrëveshje e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe fushën hidrosanitare në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje dypalëshe mes Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimit.
5-Marrëveshje dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për njohjen e ndërsjelltë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimit.