Bledar Selmanaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës, ka tentuar arratisjen nga ambientet e spitalit të burgut të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Selmanaj është dërguar gjatë mbrëmjes në spitalin e burgut në QSUT, për t’u kuruar, pasi ka tentuar dy herë vetëvrasjen në burgun e Peqinit. Me t’u sjellë në spitalin e burgjeve, ai ka dëmtuar shufrat e dritareve me hekur, duke prerë katër prej tyre, por është konstatuar nga grupi i sigurisë, të cilët kanë parandaluar arratisjen e tij. Ai ka tentuar arratisjen në orët e para të mëngjesit të sotëm, më konkretisht në orën 1:20 të mëngjesit.
25-vjeçari Xhuljano Bullari u ekzekutua brenda makinës së nuses së dajës, tip “Fiat Punto” me të cilën ishte nisur nga Babrruja drejt Babicës së Madhe në Vlorë.
Ai u gjet i vdekur mëngjesin e 21 gushtit 2021, ndërsa familjarët u shprehën të tronditur dhe mohuan mundësitë e një konflikti të djalit të tyre. Bledar Selmanaj e qëlloi Bullarin me tre plumba, njëri prej të cilëve i preku kokën dhe rezultoi ai më fatali që i mori dhe jetën.
Arsyeja se përse Selmanaj e qëlloi kishte të bënte për paratë e një sasie rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis. Por edhe deri më sot, nuk e ka pranuar vrasjen. 25-vjeçari me grupin e tij i ka blerë 39-vjeçarit sasinë e drogës me lekë false. Ndaj kishte presion të vazhdueshëm nga Bledar Selmanaj për paratë.
Por autori i dyshuar nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Sipas burimeve, ai i ka thënë grupit hetimor se udhëtoi me Xhuljano Bullarin nga Tirana në Vlorë, por ndaloi në banesën e tij.