5 Maji, Dita e Dëshmorëve, është caktuar në nderim të vrasjes së të riut komunist Qemal Stafa nga fashistët italianë, më 5 maj 1942 në Tiranë. Ndërsa është e pranuar nga të gjithë se ai u vra nga italianët gjatë një rrethimi të befasishëm në bazën ku ishte fshehur, ka një debat të madh nëse ai u tradhtua ajo po nga shokët e vet të Partisë Komuniste, mes tyre edhe Enver Hoxha.
Ishte ora 09.35 e mëngjesit, kur u zbulua baza në Tiranë ku strehohej Stafa ai dhe 6 persona të tjerë. Të gjithë dolën nga prapa banesës, me synimin për t’u larguar. I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye e gjithë lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar.
I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i gjetën kontratën e shtëpisë që kishte marrë me qira dhe emrat e atyre që strehoheshin në të. Bashkë me të arrestuarin policia arriti të gjejë shtëpinë dhe e rrethoi atë. Sapo nisi beteja, mes tij dhe milicëve ai u plagos 2 herë në këmbë.
Në njoftimin zyrtar të kuesturës, thuhej:“Rreth orës 14 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën Lumi, në afërsi të kolegjit muhamedan (Medresesë)…agjentët kanë hasur në rezistencë nga ana e disa personave që u orvatën të iknin për t’i shpëtuar arrestimit.
Janë hedhur kundër agjentave tri bomba dore të gjitha eksplodonjëse, dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri… Agjentat janë përgjigjur me armë, duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan më 12.9.1921, student”.
Shtatë ditë pas vrasjes, Partia Komuniste nxori traktin e saj, në të cilin jepte variantin e vet të ngjarjes: “Në Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokë të tjerë lufte Qemali u gjend i rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë, dhe vetë qëndroi që t’u lejonte shokëve të largoheshin sa më parë. Kur agjentët u afruan mjaft me bombat në njërën dorë dhe me revolen në dorën tjetër, hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë. Me këtë mënyrë e çau rrethimin, doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Por në një luftë ineguale një plumb tradhtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë”.
Por Drita Kosturi, që në atë kohë ishte e fejuara e Stafës, pretendoi pas viteve 1990 se Qemali vrau veten, që të mos kapej gjallë nga italianët. Ajo kishte shprehur që në atë kohë dyshime mbi dekonspirimin e bazës, që dihej nga pak njerëz me tyre edhe Enver Hoxha. “Qemali vrau veten. Unë e mësova që atë dite, kur më treguan gjyzlykët e tij, dhe më çuan në morg. Ata që qëndronin atje, flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ishte i plagosur dhe 2 plumbat e fundit i kishte ruajtur për veten. Kur e gjetën, në pistoletë kishte ende një plumb. Nuk e kam thënë kurrë këtë më parë, sepse për ngjarjen qe pranuar një version zyrtar”.
Ndërkohë Naxhije Dume, edhe ajo një aktiviste e PKSH, dhe shoqe me Dritën, thotë se lëvizja pësoi një goditje të rëndë në prill-maj 1942, pas arrestimit të Zef Ndojës, që pranoi të bashkëpunojë me italianët duke treguar gjithçka që dinte për bazat dhe teknikën e Partisë Komuniste. Ndaj, lindi nevoja e ndryshimit të taktikës por edhe bazave.
“Shtëpinë unë e pashë me kujdes. Ajo ishte e porsapërfunduar dhe atje nuk banonte njeri. Shtëpia nuk kishte brenda asnjë orendi dhe për shumë arsye nuk më pëlqeu që Qemali të qendronte në atë bazë. Ndaj, kur e takova, ia thashë këtë. Qemali u shpreh se do të qëndronte në atë bazë vetëm një natë dhe kur të kthehej nga Vlora do ta bisedonim përsëri.
Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enver Hoxha. Për mua ka mbetur enigmatik fakti edhe sot, se nga e dinin Kristo Themelo dhe të tjerë këtë baze kaq të rëndësishme në kushtet e konspiracionit tonë të madh! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit,” – do të shprehej ajo pas viteve 1990.
Dëshmitari i vetëm i atij çasti tragjik, mbeti për shumë vite anonim. Vetëm vonë, është pranuar zyrtarisht ekzistenca e tij. Ishte një fshatar tiranas me inicialet Y.B, që po ndiqte rrugën më të shkurtër për të mbërritur në qytet. Fshatari dhe Qemal Stafa me revole në dorë janë ndeshur përballë, fare pranë bregut të lumit. Ndjekësit ishin pas, dhe ndihej qartë prania e tyre. Qemali ishte i plagosur. Nuk mund të ecte më.
Në dorë mbante revolverin “Smithson” me 2 fishekë. Fshatari ndaloi, dhe i bindur që ishte një person i rezistencës, i propozoi të ndërronin rrobat bashkë. Qemali nuk pranoi. Pa dhënë më shumë shpjegime, zbrazi plumbin e fundit mbi trupin e tij. Madje, pa i lënë tjetrit asnjë amanet.
Po si e kujton vetë diktatori këtë ngjarje: “Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66, në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjes, duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë.
Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Si mund të mendoja unë, se e putha dhe e shtrëngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës”.
Është interesant fakti që të gjithë personat që ishin atë ditë me Qemal Stafën, patën një jetë të trazuar, pikërisht falë shokëve të tyre komunistë. Pas luftës, Drita Kosturi, u arrestua nga regjimi komunist si armike e partisë më 1946. U dënua fillimisht me vdekje, bëri 13 vjet burg dhe pasi u lirua, u internua deri më 1988. Vdiq më 2006.
Marie Lezha u internua disa herë, deri në rrëzimin e komunizmit. Vdiq më 2009. Flora Dishnica e martuar me Ymer Dishnicën, e ndoqi bashkëshortin në të gjitha internimet e tij. Jetoi në Berat dhe nuk foli asnjëherë për këtë ngjarje. Kristo Themelko, ishte i vetmi që arriti të largohej nga rrethimi i banesës.
Pas luftës, u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Por karriera vijoi deri në 1947, kur u arrestua dhe kaloi jetën në burg dhe internim deri më 1990. Vdiq në Tiranë më 1990. Ndërkohë Beqir Minxhozi, u përjashtua pas luftës nga partia nën akuzën se më 5 maj 1942 nuk ishte treguar vigjilent. Vdiq në vitin 2002. Edhe Isuf Keçi u arrestua pas luftës si armik, duke përjetuar kalvarin e burgjeve. Vdiq më 1990, në Tiranë.
Akuza më e drejtpërdrejtë ndaj Enver Hoxhës si njeriu që e tradhtoi Qemal Stafën, është bërë nga korrieri i Stafës, Beqir Xhepa, pinjolli i një familje të vjetër tiranase, që gjatë diktaturës përjetoi pikërisht për këtë ngjarje pushkatime, burgime dhe internime të gjata. Në një intervistë të disa viteve më parë, Xhepa, kujton se kishte lidhje të vjetër familjare me familjen e Qemal Stafës.
Pak kohë para vdekjes së tij, Hasan Stafa ia kishte lënë amanet fëmijët Ramazan Xhepës, babait të Beqir Xhepës. Për këtë arsye në prillin e 1939, Qemal Stafa shkoi i plagosur dhe e strehua në shtëpinë e Xhepëve. “Babai im, Ramazani, është marrë shumë me të vërtetën e vrasjes, sepse vrasja e tij e tronditi rëndë, pasi ai e konsideronte njëlloj si djalin e tij. Sipas të gjitha atyre që arriti të mësonte nga bisedat e shumta që bëri në atë kohë me të gjithë bashkëpunëtorët e afërt të Qemalit, të gjitha dyshimet binin mbi Enver Hoxhën. Ai dyshohej si njeriu që ia shtyu atij dy herë udhëtimin për në Vlorë në datat 4 dhe 5 maj 1942, sepse përveç atyre që bisedoi baba, nuk kishte njeri tjetër që ta urdhëronte Qemalin, përveç Enverit. Që mbrëmjen e 5 majit 1942, baba shkoi në dyqanin “Flora” dhe atje u takua me Enver Hoxhën, me të cilin bëri një debat shumë të ashpër. Fjalët e para që i tha Enverit ishin këto: “Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty, sepse e di mjaft mirë që ai është tradhtuar nga shokët e vet!”.
Sipas Beqir Xhepës, në atë kohë dyshimet mbi Enver Hoxhën i hodhën dhe disa komunistë të tjerë, mes tyre Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi dhe Hasan Reçi, dy të parët të vrarë gjatë luftës dhe i treti i pushkatuar nga regjimi më 1948-ën./ Tirana Today