Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari i saj, Lulzim Basha, tha në një prononcim për mediat se aksioni qytetar nuk do të ndalet.
Po kështu është votuar unanimisht përjashtimi i deputetit Myslym Murrizi.
Basha deklaroi për mediat se do të hartohet një kalendar protestash popullore në Tiranë dhe rrethe.
“Vendimi i parë i Kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore të shtrira në të gjithë vendin, dhe natyrisht protestave kombëtare në Tiranë për të cilat në ditët në vijim Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i PD do të marrin vendimet përkatëse të organizimit të kalendarit të datave të mobilizimit mbarëqytetar, për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit”.