Mbrëmjen e djeshme, Parlamenti Evropian ka shpallur rezultatet e votimeve në tërësi për vendimet e tij, ku bën pjesë dhe rezoluta “Ballkani Perëndimor”.
Një pjesë e saj lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, ku theksohet se Qeveria Rama duhet të përmbushë 15 kushtet e Bashkimit Evropian para konferencës ndërqeveritare dhe para fillimit të negociatave. Rezoluta mori edhe më shumë vota, sesa kur u miratua në parim.
Rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime. Shumica prej 76% tregon një konsensus të gjerë në Parlamentin Evropian për zgjerimin në Ballkan, por edhe për kushtet që duhet të përmbushë qeveria shqiptare përpara konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen e bisedimeve.
Kushtet u vendosën nga Këshilli Evropian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës në mars të këtij viti.
Plani me 15 pika i Integrimit:
1- Miratimi i reformës zgjedhore
2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
3- Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4- Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Holandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndërinstitucional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit
7- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
8- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9- Prova të vazhdueshme – Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
10- Progres në reformën e administratës publike.
11- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.
12- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
13- Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
14- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave