Leonid Gozman*, “Moscow Times”/ Rusia e sotme nuk ka kampe përqendrimi ose një represion masiv, elementë që zakonisht i lidhim me regjimin e Stalinit. Por mizoria dhe gjakderdhja, nuk ishin tiparet e vetme përcaktuese të sistemit të Stalinit. Kishte edhe të tjerë, dhe restaurimi i tyre nën Presidentin Vladimir Putin, sugjeron se Stalinizmi po ringjallet.
Qytetari si burim
Ashtu si faraonët që porosisnin ndërtimin e piramidave të tyre në Egjipt, edhe udhëheqësit komunistë, i cilësonin njerëzit thjesht si një burim, një mall të konsumueshëm. Ata nuk interesoheshin për cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. Kushtet e jetesës, janë shumë më të mira në Rusinë e sotme se sa ishin në epokën sovjetike.
Por kjo nuk është një arritje e shtetit, por rrjedhojë e faktit që pavarësisht nga gjendja e ndjeshme dhe e kushtëzuar e pronës private, ekonomia ruse funksionon kryesisht si një ekonomi tregu. Me buxhetin e tij militarist, që sakrifikon mirëqenien, madje edhe jetën e qytetarëve të saj në emër të ambicies dhe interesave të klasës sunduese, regjimi tregon qartë se tani ashtu si në kohën e Stalinit, populli përbën shqetësimin e saj të fundit. Përparësitë e tij kryesore janë kimerat e madhështisë, të sovranitetit absolut dhe të sigurisë vetjake.
Kontrolli mbi emocionet
Të gjitha shtetet kontrollojnë në një shkallë të caktuar sjelljen e qytetarëve të tyre,
duke iu kërkuar atyre të ndalin makinën kur ndizet drita e kuqe para një semafori, apo i ndëshkojnë kur bashkëpunojnë me shërbimet e huaja të inteligjencës. Sidoqoftë, sistemi komunist u përpoq të kontrollonte jo vetëm sjelljen – në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke përfshirë stilin e veshjes dhe gjatësinë e flokëve – por edhe emocionet, të cilat pritej të qenë në përputhje me linjën e partisë.
Sot, shteti i ri jo komunist dikton se për çfarë qytetarët e tij duhet të ndihen krenarë, dhe çfarë duhet të vajtojnë. Rusia është përballur me një mori ligjesh represive, të cilat synojnë kryesisht emocionet që autoritetet nuk i miratojnë. Ligjet aktuale, janë të përforcuara nga kontrolli social joformal. Ekzistojnë shumë tema mbi të cilat është e vështirë, dhe madje edhe psikologjikisht e rrezikshme, të japësh ndonjë opinion që dallon nga “korrektesa politike”. Po rrikthehet atmofera e frikës.
Armiqtë rreth e rrotull
Ideologjia ruse e “Kalasë së rrethuar”, nuk është e re. Por sipas Stalinit, ajo e kishte një ideologjike bazë:”Imperialistët na urrejnë, pasi ne përfaqësojmë revolucionin botëror dhe çlirimin e të shtypurve”. Pas revolucionit, udhëheqësit sovjetikë me sa duket mendonin se kjo ndjenjë do t’i detyronte vendet perëndimore që herët a vonë të sulmonin.
Mendësia e sotme e “Kalasë së rrethuar”, është më e rrezikshme sesa ajo sovjetike. Shteti po përpiqet të bindë qytetarët e saj, se të huajt e urrejnë Rusinë thjesht për atë që është, dhe për të mirën që po përpiqet të sjellë në një botë të papëlqyeshme.
Në vend që t’i etiketojë klasat sunduese të vendeve kapitaliste si armike, sikurse bënte Stalini, regjimi aktual po denoncon të gjitha kombet – Britaninë, Gjeorgjinë dhe Poloninë. Pretendimi i pabazuar i qeverisë ruse, se të huajt në thelb e urrejnë Rusinë, i bën njerëzit të mendojnë se një luftë e re botërore është ose e pashmangshme, ose ajo mund të shmanget vetëm duke ndërtuar armë të reja dhe forcuar ushtrinë. Në këtë kontekst, edhe vënia në pikëpyetje e cilësisë së shërbimeve mjekësore, është diçka antipatriotike.
Anti-intelektualizmi
Stalini nuk e fshehu asnjëherë përbuzjen e tij ndaj intelektit dhe arsimimit. Kur i referohej Nikollai Buharinit, një udhëheqës bolshevik që më vonë do ta eleminonte, si “dijetari ynë”, ai e quante atë një armik. Regjimi aktual në Rusi, është i prirur në mënyrë natyrale për t’iu drejtuar rusëve të “shkollës së vjetër” për mbështetje, si të krishterët ortodoksë apo punëtorët e ndërmarrjeve të vjetra joefikase. Autoritetet i shohin intelektualët me kujdes në rastin më të mirë, dhe i trajtojnë “habitatet”, pra universitetet dhe institutet kërkimore, me një armiqësi të padiferencuar.
Autokracia kundër ligjit
Nën Stalinin, ligjet e Bashkimit Sovjetik nuk kishin fare lidhje me realitetin. Çdo gjë qe në mëshirën e udhëheqësit dhe pasuesve të tij. Kjo ishte fuqia absolute e çuar në ekstrem. Sot, ligjet dhe kushtetuta janë sërish elementë thjesht dekorativë. Dhe kjo jo vetëm për shkak se gjykatat dhe zbatimi i ligjit janë të korruptuara, por sepse dëshirat e regjimit dhe Putinit janë më të rëndësishme se sa proçedurat ligjore.
Instuticionet në Rusi, heqin vullnetarisht dorë nga të drejtat e tyre. Është e pamundur të imagjinohet, që Duma të refuzojë në ndonjë rast projektligjet e paraqitura nga presidenti. Deputetët mund të shprehin privatisht pakënaqësitë e tyre ndaj një projektligji, por ata votojnë sërish në favor të tij, së bashku me të gjithë kolegët e tyre.
Parlamenti votoi për të miratuar kërkesën e Putinit për ndërhyrjen ushtarake në Siri, pa i bërë përfaqësuesit të presidentit qoftë edhe një pyetje të vetme. Sigurisht, niveli i pushtetit absolut është ende larg atij të Stalinit, por gjërat po lëvizin me shpejtësi në atë drejtim.
Iluzioni përkundrejt realitetit
Sistemi stalinist bazohej mbi gënjeshtra. Si e kaluara dhe e tashmja qenë të shtrembëruara. Të dhënat mbi prodhimin industrial dhe bujqësor, humbjet në luftë, dhe të dhënat demografike, ishin informacione të klasifikuara. Cilido që përpiqej të zbulonte të vërtetën ndëshkohej.
Teknologjitë bashkëkohore, dhe një strukturë shoqërore rrënjësisht e ndryshme, i bën të vështira gënjeshtrat e trasha. Megjithatë, regjimi aktual në Rusi, po shfrytëzon monopolin që ka mbi transmetimet televizive për të rishikuar të kaluarën e vendit, duke përdorur mitet që i japin avantazh, fabrikuar një autoritet moral për kombin, si dhe shpikur sukseset për të ashtuquajturën “botë ruse”, të cilat në fakt nuk ekzistojnë.
Regjimi i bën qytetarët të harrojnë premtimet që janë dhënë para tyre. Ai fajëson armiqtë e huaj dhe të brendshëm për dështimet, duke ia atribuar ndonjë sukses përfshirjes personale dhe mençurisë së një njeriu, Presidentit Putin. Shkalla në të cilën realiteti është shtrembëruar, gjendet tashmë shumë pranë asaj të epokës së Stalinit.
Sistemi represiv
Sistemi represiv qe thelbësor për regjimin e Stalinit. Gjatë viteve të fundit, kemi parë një ringjallje të atij sistemi. Po krijohen struktura të reja si Garda Kombëtare, ndërsa strukturat ekzistuese të sigurisë po marrin më shumë fonde. Ekziston një diskutim naiv i “prezumimit të legjitimitetit” për të gjitha veprimet e zyrtarëve shtetërorë. Efektivisht, ata kanë qenë prej kohësh të imunizuar ndaj akuzave për akte mizore dhe keqpërdorim të autoritetit të tyre.
Çfarë pritet më tej?
Sistemi stalinist nuk ishte vetëm kriminal dhe imoral, por gjithashtu i kushtueshëm dhe joefikas. Pas një sërë përpjekjesh kaotike dhe jo të vazhdueshme për reformimin e vet, sistemi i krijuar nga Stalini u shemb. Shtimi i tipareve staliniste në sistemin e sotëm, e bën të vështirë të jesh optimist për të ardhmen. Shtetit rus të ditëve të sotme i mungojnë mekanizmat për zhvillim. Ai është distancuar nga segmenti progresiv i shoqërisë, dhe madje është bërë antagonist me këtë të fundit. Ai varet nga vullneti dhe mirëqenia e një individi të vetëm. Dhe mund të pësojë fare mirë
të njëjtin fat që i takoi regjimit mbi rrënojat e të cilit u ndërtua.
* Leonid Gozman është një politikan rus i opozitës, dhe ish-bashkëkryetar i partisë politike Pravoye Delo. Ai ka një doktoraturë në psikologji.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce