Vetëm pak muaj më parë, më 1 mars 2020 hyri në fuqi ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore në Gjermani. Ai do duhej t’ua lehtësonte qytetarëve nga vendet e treta jashtë BE, ardhjen me punë në Gjermani. Shumë qytetarë nga Shqipëria e Kosova lidhën shpresat me këtë ligj. Gjithsekush që kishte një zanat të kualifikuar apo kishte një kontratë dhe njihte gjuhën gjermane në nivelin që kërkohej mund ta provonte fatin e të kërkonte punë në Gjermani.
Konsullatat gjermane punojnë me kapacitete të reduktuara
Por ardhja e pandemisë ndryshoi gjithçka. Kufizimet e udhëtimit që vendosën Gjermania e vende të tjera për mbrojtjen nga virusi ishin paralizuese. Në shumë raste ardhja e punëtorëve të kualifikuar nga Ballkani u ndërpre me disa përjashtime ose u ngadalësua së tepërmi.
Rastet përjashtimore përfshinin personelin shëndetësor, studiuesit e shëndetësisë, personelin e kujdesit shëndetësor apo personel tjetër me rëndësi të veçantë. Vonesat erdhën edhe nga zyrat e administratës për të huajt në Gjermani që për shkak të Coronës e kanë ende të kufizuar komunikimin me publikun. Kështu pirgu i aplikimeve në pritje me ardhjen e pandemisë është rritur edhe më shumë, bashkë me kohën e pritjes për marrjen e orarit për dokumentet për vizën në konsullatat gjermane në Ballkan, pritje, që edhe më parë ishte legjendare.
Kësaj i shtohet edhe puna e reduktuar e konsullatave në rajon. Ministria e Jashtme e Gjermanisë e pranon në një prononcim për Deutsche Wellen, se përfaqësitë gjermane në Ballkan aktualisht punojnë me kapacitete të reduktuara.
Ajo thotë, se gjendja aktuale në vend e përcakton, nëse dhe kur do të jetë i mundur shtrimi i kërkesës për vizë. Por me sa duket gjendja në vend mund të çojë edhe në mbylljen e plotë të autoriteteve konsullore. Kjo ndodhi tani në Shqipëri, ku të hënën u mbyll zyra konsullore për vizat e ambasadës gjermane për shkaqe të situatës aktuale. Personave të prekur u premtohet në faqen online një orar i ri sa më shpejt të jetë e mundur, por se kur, kjo nuk specifikohet. Edhe zyra konsullore në Prishtinë i ka reduktuar shumë kapacitetet dhe pranon vetëm ato kërkesa për vizë që nuk preken nga kufizimet e udhëtimit në Gjermani.
“Parimisht mund të jepen sërish viza”
“Dhënia e vizës orientohet për momentin nga kufizimet e udhëtimit në fuqi”, thekson Ministria e Jashtme gjermane, por një vendim i fundit i qeverisë gjermane po e rihap rrugën edhe për rastet e tjera me kontratë apo ofertë pune. Ministria e Jashtme gjermane konfirmon për Deutsche Wellen, se “në bazë të vendimit të kabinetit gjerman më 1 korrik mundet që fuqia punëtore e kualifikuar me një ofertë konkrete pune në bazë të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore (FEG) të udhëtojë sërish në Gjermani. Kjo vlen edhe për ata që vijnë nga të gjitha shtetet e treta. Në këtë kontekst për raste të tilla parimisht mund të jepen sërish viza.” Parimisht tingëllon bukur, por praktikisht shumë aplikues me këto zhvillime si në Shqipëri së fundmi as nuk e dinë, se kur do të kenë një datë tjetër aplikimi për vizë dhe u duhet vetëm të kalitin durimin.
Corona uli numrin e punëtorëve të huaj
Kufizimet e vendosura për udhëtimin e reduktuan ndjeshëm ardhjen e fuqisë së huaj punëtore në Gjermani këto muaj. Sipas ekspertit gjerman, Michael van der Cammen nga Zyra Federale e Punës, përgjegjës në sektorin ndërkombëtare ato çuan në një “prerje të fortë”. Megjithatë, ardhja e fuqisë punëtore nga jashtë nuk është ndalur plotësisht, thotë van Cammen. I vetmi sektor që përfitoi edhe në kohën e krizës ishte ai i shëndetësisë, për shkak se infermierët në kohën e krizës ishin shumë të kërkuar në Gjermani. “Për ne është gjë e bukur, kur kemi suksese të vogla, për shembull kur ia dalim të sjellim në Gjermani bashkë me Ministrinë e Jashtme infermierët që i kishin gati valixhet në vendin e tyre. Këta njerëz mund të fillonin nga puna menjëherë në sektorin e infermierisë. Ne i ndjekim me vëmendje kufizimet e udhëtimit, por jemi të sigurtë që më vonë do të punësohen më shumë.”
Fjalë shpresëdhënëse, pasi aktualisht firmat gjermane në tërësi janë të rezervuara me punësimin e punëtorëve të huaj për shkak të pasigurisë në të ardhmen, por edhe të rënies ekonomike që solli me vete pandemia e Coronës “Marrja e punëtorëve të huaj duhet të presë”, shkroi në qershor gazeta gjermane “Mannheimer Morgen. Jo pak firma kanë bërë të ditur ndërkohë edhe shkurtime të numrit të punëtorëve. Sipas të dhënave të publikuara pandemia e ka goditur tregun gjerman të punës. Papunësia aktualisht në Gjermani ka arritur shifrën 6,3%, në një kohë që vetëm pak muaj më parë flitej për miliona vende pune që duheshin zënë e kërkohej fuqi punëtore nga jashtë. Por a do ta ndryshojë Corona tregun e punës në Gjermani në të ardhmen aq sa të mos jenë më të nevojshëm punëtorët e huaj?
Sipas ekspertëve megjithë ndryshimet e pritshme, Gjermania do të vazhdojë të ketë nevojë për fuqi punëtore nga jashtë. Michael van der Cammen nga Zyra Federale e Punës shprehet optimist për Deutsche Wellen. “Natyrisht që pandemia na frenon. Por nevoja për fuqi punëtore është si më parë ende e madhe; sektori i shëndetësisë është një shembull i mirë. Covid19 nuk e ndryshon zhvillimin demografik. Sipas vlerësimit tim mund të ketë theksime të tjera. Nevoja për fuqi punëtore në sektorin e shëndetësisë, ndërtimit dhe zanateve në shumë drejtime do të mbetet e lartë. Këtë na e thonë që tani përfaqësues të këtyre degëve dhe sindikatave.” Nevoja e punëdhënësve gjermanë sigurisht do të varet edhe nga ecuria ekonomike në Gjermani. Shpresat për një rimëkëmbje të ekonomisë parashikohen nga tremujori i fundit i këtij viti.
Zgjatja e Rregullores për Ballkanin Perëndimor
Në këto kohë pandemie si lajm i mirë vjen edhe plani për zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2016 u vendos për të lehtësuar punësimin e migrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit, për të ulur numrin e azilkërkuesve. Sipas të dhënave të agjencisë gjermane të lameve, dpa, të mërkurën (22.07). Ministria gjermane e Punës e ka ofruar për miratim tek qeveria gjermane zgjatjen e kësaj rregulloreje deri në vitin 2023. Kjo rregullore që kishte afat deri në fund të këtij viti vepronte paralelisht me ligjin gjerman për fuqinë e kualifikuar punëtore. Dallimi është se me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor vinin punëtorë edhe pa ndonjë kualifikim të veçantë e njohuri gjuhe të mëdha. Kusht është që aplikuesi të ketë një kontratë pune në Gjermani dhe miratimin e Zyrës Federale të Punës. /DW