Sot janë ulur për herë të parë në banka rreth 29 mijë nxënës. Risi e këtij viti të ri shkollor është abetarja e unifikuar Shqipëri-Kosovë, dhe futja e një lënde të re, ajo e teknologjisë së informimit dhe komunikimit.
Kryeministri Rama ndodhej në shkollën “Jeronim de Rada”, për t’i uruar nxënësve të klasës së parë suksese.
Kreu i qeverisë kishte edhe një këshillë për fëmijët. Ai është ndalur tek risia e këtij viti arsimor, futja e kurrikulës TIK në klasat e para, me laboratorët smart që janë ngritur në disa shkolla.
“Bëni qejf dhe punë. Puna është qejfi më i madh”, u tha kryeministri nxënësve me humor.
Ai shtoi se duke qenë se për herë të parë futet mësimi i teknologjisë që në klasë të parë, u mendua që të fillohet me 100 nxënës për të parë si do shkojë.
Rama tha se pritet që në tre vite të shtohen këto laboratorë, për t’i përgatitur të rinjtë për një treg pune, atë online, që sipas tij paguhet mjaft mirë.
“Do shtrijmë më tutje gjithë programin e kodimit, në mënyrë që të krijojmë një shtresë të re, e cila ka filluar të formësohet. Por ne ta nxisim që në dy apo tre vite të kemi të rinj që janë formësuar me një treg tjetër, atë të punës online që ka të ardhura shumë të larta. Suksese, dhe bëni qejf edhe punë”, u shpreh ai.