Vijon prej pothuajse dy orësh tashmë protesta kundër veprimit të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Pavarësisht se u njoftua se do të jetë një protestë paqësore, tensionet kanë qenë të shumta. Ishte vetë presidenti Meta i cili ka bërë disa herë thirrje sot qytetarëve, që “të mos bien pre e provokimeve dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë”.
Por pak minuta pas fillimit janë evidentuar përplasjet e para me policët, të cilët kanë rrethuar zonën. Në protestë kanë marrë pjesë edhe aktorë të opozitës, të cilët kanë dalë në mbështetje të kauzës së qytetarëve.
Mirëpo siç shihet edhe në videon e siguruar nga ‘Tirana Today’ në momentin kur kreu i PD-së, Lulzim Basha është paraqitur në protestë, shumë nga protestuesit janë shprehur kundra pranisë së tij. Për disa çaste me radhë janë dëgjuar brohoritjet “Basha ik”.
Nuk kanë munguar as hedhjet e kapsollave në këtë protestë, si pasojë e të cilave është lënduar një gazetare dhe një qytetare.
Ndërkohë, ende nuk ka pasur një reagim nga kryeministri Rama në lidhje me këtë protestë. Pak minuta pas nisjes së protestës ai shpërndau një video në Facebook, duke treguar se po inspektonte nga afër rikonstruktimet e Teatrit të Operas dhe Baletit.