3 vite më parë një djalë i ri vendosi që të vizitonte banorët e njësisë numër 4 në Tiranë. Ishte veç një student që shkoi t’i dhuroi ushqim një shtrese të shoqërisë e cila jetonte në mjerim. Ai është drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdari, i cili prej atëherë së bashku me mijëra të rinj të tjerë nuk janë ndalur. Duke sjellë ndryshim rrënjësor në shoqërinë shqiptare.
Nuk kanë ndihmuar vetëm me ushqime, por kontributi i tyre është zgjeruar aq shumë, sa i kanë dhënë shpresë një shtrese të shoqërisë e cila kishte humbur besimin për të jetuar. Prej 3 vitesh “Fundjavë Ndryshe” ka nisur luftën me varfërinë, të vendosur për ta fituar.
Për këtë, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi fondacionin me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’.
“Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në ndihmë të familjeve të varfra, duke përmirësuar ndjeshëm jetesën e tyre. Kjo veprimtari humanitare është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë dhe ka forcuar solidaritetin e shoqërisë ndaj shtresave në nevojë.
“Ky vlerësim, që mban emrin e shenjtores sonë të madhe Nënë Tereza, merr vlerë të veçantë për faktin se këta të rinj e të reja, ashtu si Shën Nënë Tereza, i dedikohen bamirësisë duke ndihmuar me qindra e mijëra familje shqiptare në nevojë. Kjo tregon një përgjegjshmëri të lartë sociale në mbrojtjen e shtresave më vulnerabël të shoqërisë, dhe forcimin e solidaritetit shoqëror dhe njerëzor.
Më kujtohet 3 vjet më parë kur fillova të dëgjoja emrin e ‘Fundjavë Ndryshe’. Më pëlqeu shumë fakti që një grup të rinjsh e të rejash, kryesisht studentë, për më shumë të drejtuar po nga një student shumë i ri në moshë, Arbër Hajdari, shkonin së bashku, derë më derë, në familjet e varfra duke çuar ndihma ushqimore e veshmbathje.
Sot, pas 3 vitesh, bilanci juaj është mbresëlënës, me mbi 16.000 familje të ndihmuara, 190 ndërtesa të ngritura, 100.000 njerëz të angazhuar, 8000 flakone gjaku të dhuruar dhe shumë veprimtari të tjera që vazhdojnë çdo ditë të ndihmojnë me mijëra njerëz në 6 qarqet më të varfra të vendit”, nënvizoi presidenti.
Për Arbër Hajdarin “Fundjava Ndryshe” janë gjithë shqiptarët dhe se ky është vetëm fillimi. Pasi si Shën Nënë Tereza, edhe këta të rinj sot, i janë dedikuar plotësisisht bamirësisë.
“Nuk ka gjë më të bukur dhe emocionuese se sa të shikosh të rinjtë e të rejat e Fondacionit që me shumë dashuri e përkushtim, kohën e tyre të lirë ia dedikojnë ndihmës për fëmijët e varfër, për njerëzit me aftësi të kufizuara apo të sëmurëve. Kjo tregon një përgjegjshmëri të lartë sociale në mbrojtje të shtresave më vulnerabël dhe forcimin e solidaritetit shoqëror dhe njerëzor.
Dekorata që na jepet është e veçantë, sepse ajo lidhet me emrin e një gruaje që bën krenar çdo shqiptar kudo në botë. Jam i lumtur të gjej misionin tonë, mes fjalëve që Nënë Tereza ka thënë kur u vlerësua me çmimin Nobel, ‘unë punoj për të varfrit’.
Kemi kuptuar që gjatë kësaj kohe, gjërat më të çmuara janë ato që ndjehen dhe bëhen e jo ato që fliten. Nga shqiptarët kam mësuar se atdheun mund ta dashurojmë me po të njëjtën forcë edhe në largësi. Prandaj kjo dekoratë shkon për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.”/ TIRANA TODAY