Në mbrëmjen e 9 korrikut një histori tronditëse u transmetua në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Një baba ka abuzuar seksualisht për 3 vite me radhë me vajzën e tij që kur ajo ishte 15 vjeç.
Tashmë ajo është 18 vjeç dhe ka marrë guximin për të regjistruar babanë e saj dhe videot e bëra publike kanë tronditur mbarë opinionin publik shqiptar.
Ndërkohë, pak minuta më parë gjykata e Shkallës së Parë Kurbin dha masën “Arrest me burg” për Shkëlqim Isufin. Ky i fundit akuzohet për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”.
Kjo seancë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të çështjes tepër delikate, ku akuzohet me prova nga vajza e vet për incest brenda familjes. 48- vjeçari, Isufi shfaqet i qetë në pritje të vendimit të dhënë ndaj tij. Në këtë seancë nuk është parë asnjë familjar i të akuzuarit. Mbrëmjen e djeshme, kjo histori është rikthyer sërish në emisionin “Fiks Fare”, ku shumë kërcënime janë bërë për këtë emision dhe për gazetarët që investiguan çështjen në fjalë. Këto kërcënime kanë ardhur nga familjarët e 18-vjeçares, ku për çudi nuk mbështesin vajzën, por babanë mostër.
Kujtojmë se nëna e vajzës së abuzuar është shprehur në një bisedë telefonike se nuk do t’ja dijë më për vajzën e saj, por kërkon florinjtë që i fejuari i vajzës i ka blerë kur u fejuan.