Policia e Shkodrës ka arrestuar Artan Koçekun, i shpallur në kërkim për vrasjen e mikut të tij, Angjelin Shkambi. Ngjarje kjo e ndodhur në 17 dhjetor të 2017.
Prokuroria e Shkodër shpjegoi se 29-vjeçari ekzekutoi me plumba në kokë shokun e tij, brenda makinës, për një borxh 30 mijë eurosh.
Mbi Artan Koçekun rëndojnë edhe një sërë akuzash të tjera. Ai rezulton i dënuar me 8 vite burg për akuzën e “Grabitjes me armë” të disa pikave të karburantit në Shkodër.
Paraqitet me precedentë të theksuar kriminalë, u arrestua në vitin 2013, si pjesë e një grupit të përbërë prej 4 personash, të cilët grabisnin me armë pika karburantesh. Në atë kohë, policia numëroi 8 pika të grabitura në lagje të ndryshme të qytetit verilindor.
E shkuara kriminale e Koçekut nuk përfundon me kaq. Së bashku me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim në atë kohë (Fred Shkembi dhe Tom Gjergji) ata ishin autorë të vjedhjes së 12 dyqaneve, po në Shkodër.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses operacioni i koduar “IRON HAND”
Kapet dhe ndalohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje, i cili qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17.12.2017 ku ka mbetur i vrarë shtetasi A. Sh.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, falë informacioneve të mara në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “IRON HAND”, ku si rezultat është kapur dhe ndaluar shtetasi:
Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.
Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e D.V.P Shkodër. Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.
Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .
Përmbledhja e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi Artan Koçeku i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me arme?”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe me datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkambit 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.
I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj I Ri dhe ka mundur të largohet.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Largimi i te burgosurit nga vendi i qendrimit”.