Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e sotme ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Apelit, Blerona Hasën.
Raportohet se ajo ka rezultuar e pastër në verifikimin e figurës duke kaluar kështu Vetting-un.
Trupa gjyqësore që kreu procesin e Vetting-ut ishte e përbërë nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshi.
Blerona Hasa ka kryer studimet e Magjistraturës në vitet 1998-2001 dhe është emëruar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Korçës.
Në vitin 2011, Hasa është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2013 është dekretuar si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit.
Kujtojmë se analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Blerona Hasa nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.