Gjykata e Tiranës dënoi me 7 vite e 4 muaj burg një prej autorëve të vjedhjes së serverave dhe dokumenteve të Prokurorisë së Durrësit, ndërsa vendimi tregon se si grabitja e serverit ka cënuar dhe vijon të jetë rrezik për sigurinë.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg të akuzuarin për vjedhjen e një sërë dosjesh hetimore të Prokurorisë së Durrësit dhe shkatërrimin e serverave dhe dokumenteve të kësaj prokurorie në maj të vitit 2018, ekspozon rrezikun se pamjet në servera dhe dosjet e vjedhura vijojnë të jenë rrezik për sigurinë.
Artur Isa, 50 vjeç u dënua me 11 vjet burg më 25 nëntor si njëri prej të akuzuarve për grabitjen e paprecedentë të zyrës së prokurorit Afrim Shehu dhe dy oficerëve të policisë gjyqësore, bashkë me serverat e Prokurorisë së Durrësit. Në përfitim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Isës u ul me 1/3.
Prokuroria akuzon për ngjarjen edhe Besnik Bushin, gjurmët e gishtave të të cilit po ashtu u gjetën në vendngjarje. Pretendimet e mbrojtjes së tij për pafajësi dhe pretendimi se shenjat e gishtave mund të ishin rastësisht në dosjet e zyrës që u grabit, u cilësuan si të pabaza.
Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës e cilëson ngjarjen si rrezik për sigurinë.
“Në kohë të caktuara (të dhënat) mund të përdoren për qëllime jo ligjore duke përmendur këtu ndër të tjera sekretet hetimore,” thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Vendimi i gjykatës dhe pretenca e prokurorisë për rastin lë të kuptohet se nuk ishin rikuperuar as dokumentet dhe as serveri i vjedhur. Megjithatë, vendimi nuk përmend se cilat dosje ishin zhdukur nga Prokuroria e Durrësit.
Përplasjet në prokurorinë e Durrësit
Pas grabitjes së majit 2018, një mori incidentesh të tjera kanë ndodhur në Prokurorinë e Durrësit, kryesisht të lidhura me hetimet për përvetësimin e pronave në zonë e lakmuar të Gjirit të Lalëzit.
Prokurori Afrim Shehu, zyra e të cilit u grabit, kishte lëshuar më parë urdhër arreste për disa ish-zyrtarë të Komunës së Ishmit. Ndërsa më 22 tetor të këtij viti kërkoi arrestimin e 4 ish-drejtuesve të Hipotekës Durrës dhe një sërë ish-zyrtarësh dhe një grupi përfituesish, për tjetërsimin e 68 mijë metrave tokë në bregdet.
Në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndaj drejtueses së prokurorisë së Durrësit, Anita Jella u zbulua edhe përplasja mes saj dhe prokurorit Arjan Ndoja, pasi ky i fundit kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj kreut të kadastrës Liridon Pulaj. Jella në dëshminë e saj tha se kishte udhëzuar Ndojën të mos vepronte, duke vënë në dukje se në të njëjtën kohë zyrtarë të Kadastrës po hetoheshin nga prokurori Shehu në një hetim pro-aktiv.
Ndoja, i cili siç del nga dëshmitë, nuk e përfilli udhëzimin e Jellës, u sulmua më pas nga Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erjon Braçe për lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Ndoja u sulmua më vonë në një atentat, në të cilin mbeti i vrarë shoferi i tij. Ndoja ishte në makinë gjatë atentatit me një person të skeduar prej policisë dhe të proceduar penalisht për rrahjen e biznesmenit libanez, Faadi Mitri, i lidhur po ashtu me pronat në Gjirin e Lalëzit.
Kërkesa e prokurorisë
Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite heqje lirie për të akuzuarin Artur Isa, duke arsyetuar se bazuar në rrezikshmërinë e veprës penale që cënon interesat publikë dhe shtetërorë, duhej dhënë ‘një masë dënimi shembullore’ me qëllim që të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen. Kjo kërkesë e prokurorisë u cilësua si e drejtë nga gjykata.
Sipas prokurorisë, nga provat e administruara ka rezultuar e provuar se në datën 24 maj 2018, rreth orës 06:30, nga ana e punonjësve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është konstatuar se në ambjentet e këtij institucioni kishin hyrë persona të paidentifikuar që kanë hapur me forcë derën e zyrës së serverit ku janë dëmtuar e marrë pajisje elektronike të sigurisë. Autorët kanë hyrë me forcë edhe në zyrat e një prokurori e të dy oficerëve të policisë gjyqësore.
Edhe pse godina ruhej nga punonjës të policisë private, autorët nuk janë diktuar teksa kanë hapur me forcë dyert dhe kanë marrë dokumentet dhe serverin. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë përfituar 13 gjurmë papilare të vlefshme për identifikim, ku një ka rezultuar se i përkiste të pandehurit Artur Isa dhe një tjetër shtetasit Besnik Bushi.
Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Ylli Pjetërnikaj ka pohuar para gjykatës gjatë konkluzioneve përfundimtare se i pandehuri Artur Isa nuk ka pranuar që të bashkëpunojë duke pretenduar se nuk ka qenë asnjëherë në prokurori dhe gjykatë, të paktën që nga viti 2003 kur është arrestuar për vjedhje me dhunë.
Nga hetimet ka rezultuar se Isa ka dhënë deklarime të pavërteta, pasi ka shpjeguar se ka qenë në punë, ndërkohë që punëdhënësi ka thënë të kundërtën. Po ashtu gjetja e gjurmës së gishtit ka provuar praninë e tij në prokurori.
Sipas organit procedues, serverat kanë qenë të vendosura në një ambient të posaçëm dhe në to kanë qenë të instaluara programet përkatëse që kanë të bëjnë me monitorimin dhe për rrjedhojë ruajtjen dhe sigurinë fizike të institucionit të prokurorisë. Duke shpjeguar se marrja e zhdukja e serverave ka sjellë si pasojë fshirjen dhe suprimimin e të dhënave, prokurori Pjetërnika argumentoi para gjykatës gjatë pretencës se i pandehuri Artur Isa në bashkëpunim me personat e tjerë të paidentifikuar kanë konsumuar veprën penale të “ndërhyrjes në sistemet kompjuterike”, kryer në bashkëpunim dhe me dashje direkte.
‘Dënim shembullor’
Bazuar në kërkesën e prokurorisë, gjykata konsideron se vendi i kryerjes së veprës penale, si edhe kryerja në bashkëpunim e rrisin rrezikshmërinë shoqërore të saj. Gjykata po ashtu pranoi arsyetimin se i pandehuri paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ka qenë i dënuar më parë dhe ndërkohë mohon akuzën dhe nuk bashkëpunon.
Vepra penale “ndërhyrja në sistemet kompjuterike” në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 293/c/2 i Kodit Pnela, parashikon dënimin nga 5 deri në 15 vite burgim.
Për të arsyetuar lidhur me kërkesën për dënimin pranë kufirit maksimal, prokurori Pjetërnika gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare ka sjellë në vëmendje të gjykatës një çështje gjyqësore në Britaninë e Madhe. Ai ka shpjeguar se ankuesi ishte deklaruar fajtor për pesë vepra të veçanta sipas Official Secrets Act dhe ishte dënuar për çdo akuzë me katërmbëdhjetë vjet burgim, duke marrë një dënim të përgjithshëm me 42 vjet heqje lirie.
“Gjykata refuzoi ankimin kundër këtij vendimi, duke arsyetuar se: është me rëndësi të madhe, sidomos në kohën e sotme, që sjellje e tillë jo vetëm të dënohet, apo të mbahet mend nga të gjithë njerëzit e zakonshëm, por gjithashtu, duhet të marrë, ku sillet para drejtësisë, dënimin më të rëndë të mundshëm. Ky dënim kishte një qëllim të trefishtë. Kishte për qëllim të ishte ndëshkues, ishte projektuar dhe llogaritur për të parandaluar të tjerët, si dhe kishte për qëllim të jetë si një mbrojtës i vendit”, ka cituar Pjetërnika gjatë konkluzioneve përfundimtare arsyetimin e gjykatës britanike.
Duke argumentuar se sulmi ndaj organit të prokurorisë së Durrësit, thyerja e dyerve të zyrave të prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore njëra pas tjetrës si dhe marrja e serverave është një sjellje që jo vetëm të dënohet apo të mbahet mend nga të gjithë njerëzit e zakonshëm, por edhe t’i jepet dënimi më i rëndë i mundshëm, prokurori Pjetërnika ka kërkuar dënimin me 12 vite burgim për Artur Isan.
Ndërkohë, i pandehuri Artur Isa dhe përfaqësuesja e tij ligjore Anjeza Rusi kanë kërkuar pafajësi, treshja gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Shefkie Demiraj kryesuese dhe Ardiana Bera e Kreshnik Omari anëtarë, vendosën më datë 25 nëntor të vlerësojnë si të drejta provat dhe kërkesat e prokurorisë.
Trupa gjykuese ka vendosur dënimin e të pandehurit Artur Isa me 11 vite burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin përfundimtar me 7 vjet e 4 muaj burgim. Gjykata çmon se dënimi me 11 vite burgim është plotësisht i justifikueshëm bazuar në rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale. BIRN