Kreu i PD-së Lulzim Basha ditën e sotme do takojë drejtuesen e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR Audry Glover. Raportohet se takimi do të nisë në orën 11:00.
Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë Glover takoi kryeministrin Edi Rama dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla, në selinë e PS-së. Gjithashtu shefja e misionit të OSBE/ODIHR pati një takim edhe me kreun e KQZ-së Klement Zgurin, ndërsa më pas pati edhe një konferencë për mediat.
Përgjatë kësaj të fundit, Glover theksoi se misioni i OSBE-ODHIR do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, një vëzhgim teknik të procesit. Rikujtojmë se situata politike në vend është mjaft e tensionuar, ose më saktë, vendi është në krizë.
Kryeministri Edi Rama është i vendosur që të zhvillojë zgjedhjet më 30 qershor, ndërkohë rikujtojmë se Kreu i Shtetit Ilir Meta ditën e djeshme u shpreh se zgjedhje nuk do ketë, “në rast të kundërt, nëse zhvillohen, ato do bien në kundërshtim me ligjin”.