Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me institucionet arsimore, do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit për ofrimin e ndihmës në çdo lloj emergjence, por edhe bashkëpunimin me institucionet e specializuara.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, teksa vizitoi ambientet e stacionit të shërbimit të emergjencës mjekësore “ERA”, theksoi se krahas punës së përditshme që bëjnë qendra të tilla emergjencash, janë të nevojshme edhe nismat për edukimin e qytetarëve në dhënien e ndihmës së shpejtë.
“Bashkë me shërbimin ‘ERA’ dhe zjarrfikëset e Tiranës do të vijojmë fushatën tonë të ndërgjegjësimit, të edukimit dhe informimit, sidomos me nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare, sepse besoj që një brez i ri më i ndërgjegjshëm, që respekton më shumë jetën, është më i përgatitur të përballet me emergjencat”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehu besimin se kjo eksperiencë e parë në këtë fushë do të shërbejë që edhe si një frymëzim për shërbimin publik, që ai të shtrihet edhe në një territor më të gjerë në Tiranë.