Administratori i një shkolle private në Tiranë, Lulëzim Masha, 63-vjeç, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve lidhur me atentatin që iu bë sot në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë.
Ai i ka parë lëvizjet e autorit, ndërsa në dëshmi ka thënë se nuk i ka folur por e ka qëlluar. Para hetuesve, 63-vjeçari është shprehur se autori është rreth 25-vjeç dhe me mjekër.
63-vjeçari mohoi që të njohë atentatorin, teksa ky i fundit u largua në këmbë.
“Autori ishte rreth 25-vjeç, nuk më foli asgjë, direkt qëlloi. Ishte me mjekër dhe si tip esmeri”, ka thënë Masha.
Masha po udhëtonte i vetëm në makinë, kur autori ka qëlluar drejt makinës së tij. Drejt tij është qëlluar me tre plumba, ku dy prej plumbave kanë kapur makinën tip “Benz” me të cilin po lëvizte Masha. Burimet bëjnë me dije se arma e përdorur është e kalibrit të vogël, jo me silenciator.
Policia ka ngritur postblloqe, për të bërë të mundur kapjen e autorit.